Emmanuel Macron e ka përshkruar veten si një njeri që nuk është rritur kurrë plotësisht. “Unë jam ende fëmijë”, i tha presidenti francez biografes Catherine Nay, në një rrëfim që zbulon anën më personale të tij, por edhe arsyet që, sipas autores, çuan në rënien e tij politike.
Në librin e saj të ri, “Në këtë vend ku princi është fëmijë”, Nay përshkruan një Macron të zgjuar, ambicioz, me vetëbesim të jashtëzakonshëm, por edhe një njeri që e ka pasur të vështirë të pranojë gabimet dhe të dëgjojë kritikat. Sipas saj, pikërisht kjo bindje se ka gjithmonë të drejtë u kthye në një nga dobësitë më të mëdha të presidencës së tij.
Formimi i Macronit, argumenton autorja, nisi që në fëmijëri, nën ndikimin e gjyshes Manette, e cila e shihte nipin si projektin më të rëndësishëm të jetës së saj. Ajo e rriti mes librave, e nxiti të lexonte klasikët francezë dhe i kultivoi ambicien për t’u bërë një shkrimtar i madh. Kur ishte vetëm 14 vjeç dhe nisi të shoqërohej me një vajzë, gjyshja e largoi nga shtëpia, duke e detyruar të kthehej te prindërit. Macron u rikthye me premtimin se nuk do të merrej më me vajzat. Sipas Nay, kjo marrëdhënie ndikoi fort në karakterin e tij dhe në mënyrën se si ai krijoi lidhje me njerëzit e tjerë.
Një tjetër moment vendimtar ishte marrëdhënia me Brigitte Macron, mësuesen e tij të dramës, 24 vjet më të madhe. Macron ishte adoleshent kur nisi kjo lidhje, e cila u përball me kundërshtime të forta nga familja. Biografia e përshkruan atë si një marrëdhënie që e izoloi edhe më shumë nga bashkëmoshatarët dhe përvojat normale të moshës.
Brigitte, nga ana tjetër, kujton se në rininë e tij Macron ishte jashtëzakonisht i sigurt dhe se e bënte të ndihej e mbrojtur. Por vitet e fundit, kjo ndjenjë ka ndryshuar. Pas krizave politike dhe zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2024, ajo pranon se nuk ndihet më e mbrojtur prej tij si dikur.
Sipas Catherine Nay, Macron ka pasur gjithmonë aftësinë të fitojë njerëzit me zgjuarsinë, sharmin dhe mënyrën se si i dëgjon. Në fillimet e karrierës, ai arriti të bindte figura të fuqishme në politikë dhe biznes që t’i hapnin dyert, madje edhe kur ishte shumë i ri.
Por kjo aftësi për të fituar mbështetje, me kalimin e kohës, u shoqërua edhe me një prirje për t’u larguar nga njerëzit që nuk i thoshin atë që dëshironte të dëgjonte. Disa nga ish-aleatët e tij tregojnë se, pasi Macron arriti pushtetin, ai nuk iu përgjigjej më mesazheve të tyre. Edhe ata që i kishin dhënë këshilla dhe e kishin paralajmëruar se nuk ishte gati për presidencën, u larguan nga rrethi i tij.
Por momenti që, sipas Nay, shënoi më së shumti rënien e tij politike ishte vendimi për të shpërndarë parlamentin dhe për të thirrur zgjedhje të parakohshme në vitin 2024. Një lëvizje që ai e konsideroi si mënyrë për të rikthyer kontrollin, por që në fund e dobësoi më tej pozicionin e tij.
Qendra politike që Macron kishte ndërtuar u përça, ndërsa forcat e ekstremit të djathtë dhe të majtës radikale fituan më shumë terren. Presidenti u përball me një krizë besimi, me pak mbështetje publike dhe me një rreth gjithnjë e më të ngushtë njerëzish pranë tij.
Catherine Nay e krahason Macronin me Julien Sorel, personazhin ambicioz të romanit “E kuqja dhe e zeza” të Stendhalit, një njeri që synon majat, por që përfundon tragjikisht.
Sipas saj, Macron u besoi aq shumë aftësive dhe instinkteve të veta, sa nuk arriti të kuptonte se vendimet e tij po e çonin drejt humbjes. “Ai mendonte se, sapo të fliste ai, çështja mbyllej”, u shpreh autorja. Por, siç thotë Nay, Macron mund të jetë një orator dhe strateg i talentuar, por jo domosdoshmërisht një menaxher i mirë i pushtetit./mxh
