Armenia po planifikon të lidhë rrjetin e saj energjetik me atë të Turqisë dhe Azerbajxhanit, në një zhvillim që shënon një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes vendeve fqinje, por edhe në ambiciet e Jerevanit për t’u kthyer në një qendër të rëndësishme të inteligjencës artificiale (AI).
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, e bëri të ditur planin gjatë konferencës DigiTec 2026, të zhvilluar në Jerevan, në një diskutim publik me Rev Lebaredian, zëvendëspresident i kompanisë Nvidia, përgjegjës për simulimin e inteligjencës artificiale fizike.
“Ne do të lidhim rrjetet tona me rrjetet elektrike të Turqisë dhe Azerbajxhanit. Aktualisht jemi të lidhur me Iranin dhe Gjeorgjinë dhe po investojmë për ta bërë transmetimin e energjisë më efikas”, deklaroi Pashinyan. Ai e cilësoi këtë zhvillim si një transformim të rëndësishëm, duke shtuar se projekti “Kryqëzimi i Paqes” po kthehet në realitet.
Kompania Firebird planifikon të ndërtojë infrastrukturë me kapacitet prej 300 megavatësh deri në fund të vitit 2027. Sipas kryeministrit Pashinyan, vetëm tetë muaj më parë Armenia kishte tepricë të kapaciteteve energjetike, ndërsa zgjerimi i qendrave të të dhënave ka ndryshuar situatën, duke e detyruar vendin të shqyrtojë mundësinë e importit të energjisë elektrike.
Edhe Rev Lebaredian vuri theksin te rëndësia e sigurimit të burimeve të reja energjetike, duke paralajmëruar se avantazhi aktual i Armenisë në sektorin e inteligjencës artificiale nuk do të zgjasë përgjithmonë.
Ai ngriti pyetjen se si vendi mund të kalojë nga kapacitetet prej qindra megavatësh në disa gigavatë, për të përballuar kërkesat e ardhshme të teknologjisë. Sipas tij, lidhjet energjetike me vendet fqinje mund të shërbejnë jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për krijimin e marrëdhënieve më të qëndrueshme politike.
Për të përballuar kërkesën në rritje, qeveria armene po shqyrton disa alternativa, përfshirë zgjerimin e prodhimit të energjisë së rinovueshme, veçanërisht asaj diellore, ndërtimin e sistemeve të magazinimit të energjisë dhe përmirësimin e eficiencës energjetike në ndërtesa dhe biznese.
Një tjetër projekt i rëndësishëm mbetet ndërtimi i një centrali të ri bërthamor. Gjatë një interviste për mediat e huaja, Rev Lebaredian foli edhe për sfidat që po shoqërojnë ndërtimin e qendrave të reja të të dhënave në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.
Ai tha se kundërshtimet e komuniteteve lokale ndaj këtyre projekteve lidhen shpesh me frikën nga ndikimi i inteligjencës artificiale në vendet e punës dhe në jetën e përditshme.
Lebaredian pranoi se zhvillimi i AI kërkon gjithnjë e më shumë energji, duke theksuar se sa më shumë energji të jetë në dispozicion, aq më shumë kapacitete të inteligjencës artificiale mund të prodhohen.
Ai mbështeti përdorimin më të gjerë të burimeve të qëndrueshme, përfshirë energjinë bërthamore, ndërsa foli edhe për sfidat që lidhen me konsumin e ujit dhe sistemet e ftohjes së qendrave të të dhënave./k.m
