Jennifer Lopez është vënë në qendër të kritikave pas deklaratave se prejardhja e saj latine e ka bërë më të vështirë marrjen e roleve në Hollywood.
Në një intervistë për podcastin e “The New York Times”, këngëtarja dhe aktorja tha se, ndryshe nga sa mund të mendojë publiku, nuk ka marrë vazhdimisht oferta për role filmike dhe se shpesh i është dashur të krijojë vetë mundësi për të realizuar projektet që dëshironte.
“Edhe në fillim të karrierës sime merrja oferta, por ishin shumë të pakta. Më është dashur të krijoj mundësi vetë”, u shpreh Lopez.
Ajo shtoi se mendon se një nga arsyet lidhej me faktin se nuk ishte një aktore tipike e bardhë, duke lënë të kuptohet se paragjykimet në industrinë e filmit kanë ndikuar në mundësitë që i janë ofruar.
“Mendoj se arsyeja është se thjesht nuk isha një aktore tipike e bardhë. E kupton çfarë dua të them? Dhe në një farë mënyre, është ende kështu edhe sot”, tha ajo.
Lopez pranoi se Hollywoodi ka bërë përparime në drejtim të diversitetit, por theksoi se aktorët shpesh duhet të krijojnë vetë rrugën e tyre. Sipas saj, kur dëshiron të realizojë një projekt, nuk pret që dikush t’ia ofrojë mundësinë, por përpiqet ta bëjë të ndodhë vetë.
Deklaratat e saj shkaktuan reagime kritike në rrjetet sociale. Influencuesi Oli London vuri në pikëpyetje pretendimin e aktores, duke iu referuar karrierës së saj me 44 filma dhe pasurisë që, sipas vlerësimeve të publikuara, arrin në 400 milionë dollarë.
Edhe ish-konkurrentja e “America’s Next Top Model”, Adrianne Curry-Rhode, reagoi ashpër. Ajo e cilësoi deklaratën e Lopez si “një nivel krejt të ri iluzioni” dhe shtoi se rolet e saj të para i kishte marrë për shkak të pamjes tërheqëse.
Ndërkohë, komentatorja e Fox News, Tomi Lahren, reagoi me ironi në platformën X, duke shkruar: “LOL, sigurisht që jo”.
Pavarësisht kritikave, Lopez argumentoi se përvoja e saj në Hollywood nuk ka qenë gjithmonë aq e lehtë sa mund të duket nga suksesi dhe numri i projekteve ku është përfshirë./k.m
