Last Updated on 23/11/2026 by EL
Çështja e kufirit detar me zgjerimin deri në 12 milje në Detin Jon shihet si “e drejtë e patjetërsueshme dhe e njëanshme” nga ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis.
Në një intervistë të dy ditëve më parë për Ta Nea, përpara takimit të sotëm me ministrin Ferit Hoxha, ai shprehet se po përgatiten për “mbrojtjen e interesave kombëtare”. Gerapetritis thotë se kjo strategji është reflektuar edhe me zgjerimin në Kepin Tainaro dhe “Greqia do të vijojë të rritet”.
“E kam thënë shumë herë, zgjerimi i ujërave territoriale deri në 12 milje detare është një e drejtë e patjetërsueshme dhe e njëanshme e Greqisë që rrjedh nga e Drejta Ndërkombëtare e Detit, dhe ushtrimi i saj do të kryhet në mënyrën dhe në kohën e zgjedhur nga shteti grek. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ne kemi një plan dhe po përgatitemi metodikisht për të mbrojtur interesat kombëtare të atdheut në mënyrën më të mirë të mundshme. Strategjia jonë është reflektuar tashmë në nisma specifike, siç është zgjerimi i ujërave tona territoriale në Detin Jon dhe deri në Kepin Tainaro, zbatimi i argumenteve tona në Egje dhe Mesdheun Lindor, forcimi i prestigjit ndërkombëtar të vendit dhe përmirësimi i kapacitetit tonë parandalues. Asnjë qeveri tjetër nuk ka guxuar të bëjë kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër politike. Greqia është rritur dhe do të vazhdojë të rritet”, tha Gerapetritis.
Në një intervistë për Report Tv më 20 nëntor, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se për çështjen e detit me Greqinë është krijuar tashmë ekipi negociator.
“Është ngritur ekipi negociator dhe presim të marrim dakordësinë e Presidentit të Republikës. Në ekipin negociator shqiptar bëjnë pjesë përfaqësues të një numri të madh institucionesh. Në ekip diskutohet me hollësi çdo aspekt i këtij procesi që, siç mund ta merrni me mend, është shumë kompleks. Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord që në këtë rast t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shumë shpejt do të biem dakord për mënyrën se si do të procedojmë, për hapat që do të ndjekim dhe për qasjen e secilit vend”, u shpreh ai.
Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe kryeministri Edi Rama nga Dublini më 11 nëntor, duke e komentuar si “çështje të pazgjidhur”.
Ndërsa vitin e ardhshëm, përkatësisht në gjysmën e dytë të tij, Greqia do të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Në intervistë, Gerapetritis shprehet se është punuar intenisivisht për këtë moment që do të përkojë me vendime të rëndësishme.
“Që nga fillimi i vitit 2025, Ministria e Punëve të Jashtme ka punuar intensivisht për të përgatitur presidencën greke të Këshillit të BE-së, si në nivelin organizativ ashtu edhe në atë politik, në mënyrë që vendi të jetë plotësisht i përgatitur për të përmbushur kërkesat e tij. Institucionet kanë vazhdimësi dhe një presidencë e suksesshme greke, një qëllim i vërtetë kombëtar, nuk mund të varet nga ciklet zgjedhore. Në një nivel politik, presidenca greke përkon me vendime të rëndësishme evropiane mbi buxhetin, autonominë strategjike, mbrojtjen e përbashkët, konkurrueshmërinë, zgjerimin, migracionin dhe sigurinë energjetike. Sigurisht, është thelbësore se cila qeveri do t’i përgjigjet më efektivisht sfidës së presidencës evropiane dhe do ta përdorë atë në mënyrën më të mirë për thellimin e Unionit dhe për forcimin e interesave tona kombëtare. Kjo pyetje padyshim do të jetë ndër ato që populli grek do të thirret t’u përgjigjet në zgjedhjet e ardhshme. Të zgjedhë politikat, por edhe individët, të cilët në momente trazirash gjeopolitike globale kanë njohuritë, përgjegjësinë dhe kalibrin ndërkombëtar për t’i dhënë një gjurmë kombëtare momentit të madh të presidencës greke të Këshillit Evropian”, u shpreh ai./et
