Të thuash “po” për çdo kërkesë nuk është domosdoshmërisht një mënyrë për të fituar vlerësimin e eprorëve apo për të avancuar profesionalisht. Përkundrazi, dëshira për të mos zhgënjyer askënd mund t’ju largojë nga mundësitë që dëshironi vërtet.
Një punonjëse vendosi të largohej nga puna pasi humbi një tjetër mundësi për ngritje në detyrë. Kur kërkoi të kuptonte nga shefi i saj arsyen pse nuk po përparonte profesionalisht, përgjigjja ishte e papritur: asaj i mungonin aftësitë e lidershipit.
“Për dhjetë vjet bëra gjithçka që më kërkonin. Nëse dikush më thoshte të hidhesha, pyesja sa lart. Mendoja se po tregoja entuziazëm dhe gatishmëri për të bashkëpunuar. Por shefi më tha se nuk mund të më shihte si një lidere, sepse nuk tregoja mjaftueshëm vendosmëri. Ai kishte nevojë për njerëz në pozicione që dinin të thoshin si ‘po’, ashtu edhe ‘jo’”, tregoi ajo për The Everygirl.
Ky rast nxjerr në pah një prirje të zakonshme në ambientin e punës: përpjekjen e vazhdueshme për t’i kënaqur të gjithë, edhe kur kjo vjen në kurriz të nevojave personale dhe objektivave profesionale.
Të jesh bashkëpunues dhe i gatshëm për të ndihmuar është një cilësi e vlefshme, por kur pranoni çdo detyrë shtesë dhe merrni përsipër edhe përgjegjësi që nuk ju përkasin, rrezikoni të lini pas dore punën tuaj dhe mundësitë për t’u zhvilluar. Prandaj, vendosja e kufijve të shëndetshëm është një hap i rëndësishëm për të mbrojtur kohën, energjinë dhe karrierën.
Ja katër mënyra për ta bërë këtë:
1. Mos u përgjigjni menjëherë me “po”
Nëse keni tendencën të dëshironi t’i kënaqni të gjithë, mund ta gjeni veten duke pranuar automatikisht çdo detyrë apo kërkesë shtesë, edhe kur axhenda juaj është tashmë e mbushur.
Në vend që të përgjigjeni menjëherë pozitivisht, merrni pak kohë për të vlerësuar nëse mund ta përballoni një përgjegjësi tjetër. Mund të thoni: “Do të kontrolloj axhendën dhe do t’ju kthej një përgjigje” ose “Më duhet pak kohë për ta menduar”.
Pyeteni veten nëse dëshironi vërtet ta merrni përsipër atë detyrë apo po e bëni vetëm nga frika se mos zhgënjeni dikë. Nëse vendosni të refuzoni, nuk keni pse të kërkoni falje vazhdimisht apo të jepni shpjegime të gjata. Një përgjigje e thjeshtë dhe e sjellshme, si “Faleminderit që menduat për mua, por këtë herë nuk do të mundem”, është e mjaftueshme.

2. Shprehni hapur mospajtimin tuaj
Nuk është e nevojshme të bini dakord me çdo propozim gjatë një takimi pune për t’u konsideruar pjesë e mirë e ekipit. Përkundrazi, aftësia për të shprehur një mendim ndryshe tregon vetëbesim, mendim kritik dhe gatishmëri për të kontribuar.
Nëse e keni të vështirë të kundërshtoni një ide apo vendim, mund të filloni me shprehje të tilla si “Nuk jam plotësisht dakord” ose “Do të doja të shtoja një këndvështrim tjetër”.
Mos kini frikë të jeni personi i parë që shpreh një mendim ndryshe. Mund të zbuloni se edhe kolegë të tjerë ndajnë të njëjtin shqetësim, por nuk kanë guxuar ta shprehin. Idetë dhe vëzhgimet tuaja mund t’i japin një vlerë të rëndësishme ekipit dhe të tregojnë aftësinë tuaj për të marrë iniciativa.

3. Mos merrni përsipër përgjegjësi që nuk ju përkasin
Kur jeni gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar, ekziston rreziku që kolegët dhe eprorët të fillojnë t’ju ngarkojnë rregullisht me detyra që nuk janë pjesë e rolit tuaj. Kjo ndodh veçanërisht kur të tjerët e dinë se e keni të vështirë të thoni “jo”.
Megjithatë, pranimi i vazhdueshëm i përgjegjësive shtesë mund t’ju marrë kohën dhe energjinë që duhet t’ia kushtoni detyrave tuaja kryesore, duke ndikuar edhe në performancën profesionale.
Mbajeni parasysh përshkrimin e pozicionit tuaj dhe përdoreni si pikë referimi për të kuptuar cilat janë përgjegjësitë që ju takojnë. Nëse ju kërkohet të merrni përsipër diçka që del jashtë rolit tuaj, mund ta shprehni këtë me mirësjellje, pa u ndier fajtorë. Të ndihmoni të tjerët është pozitive, por kjo nuk duhet të kthehet në një detyrim të vazhdueshëm.

4. Pranoni se nuk mund t’i kënaqni të gjithë
Shefi juaj mund të mos jetë i kënaqur nëse kërkoni më shumë kohë për të përfunduar një detyrë, ndërsa një koleg mund të zhgënjehet nëse nuk mund ta ndihmoni. Por kjo nuk do të thotë se po veproni gabim.
Nuk është përgjegjësia juaj të menaxhoni vazhdimisht emocionet dhe pritshmëritë e të tjerëve. Është shumë më mirë të jeni të sinqertë që në fillim, sesa të pranoni gjithçka dhe më pas të përfundoni të mbingarkuar, të stresuar apo të pakënaqur.
Praktikoni të kërkoni atë që ju nevojitet dhe mësoni të pranoni faktin se jo të gjithë do të reagojnë pozitivisht ndaj kufijve tuaj. Me kalimin e kohës, do ta keni më të lehtë të menaxhoni emocionet tuaja dhe reagimet e të tjerëve.

Rivlerësoni kufijtë tuaj kur është e nevojshme
Kufijtë profesionalë nuk janë gjithmonë të pandryshueshëm. Ndonjëherë, pa e kuptuar, filloni të pranoni përgjegjësi që fillimisht ishin vetëm të përkohshme, por që gradualisht kthehen në pjesë të zakonshme të përditshmërisë suaj.
Për shembull, nëse keni krijuar zakonin t’u përgjigjeni emaileve të punës edhe në mbrëmje, mund të vendosni ta ndërprisni këtë praktikë dhe të sqaroni se do të përgjigjeni mëngjesin tjetër. Nëse po ndihmoni vazhdimisht një koleg të ri dhe kjo po ju merr shumë kohë gjatë ditës, mund të caktoni një orar të posaçëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij.
Në fillim, vendosja e këtyre kufijve mund t’ju bëjë të ndiheni sikur po tregoheni më pak të gatshëm për të ndihmuar. Në të vërtetë, po mësoni të menaxhoni më mirë burimet tuaja dhe të mos lejoni që dëshira për t’i kënaqur të gjithë të pengojë zhvillimin tuaj profesional./k.m
