Aprilia Racing ka shënuar një tjetër sukses historik në Kampionatin Botëror MotoGP, duke siguruar podiumin e plotë në Çmimin e Madh të Portugalisë, të zhvilluar në pistën Autódromo Internacional do Algarve në Portimão.
Marco Bezzecchi triumfoi në garë, i ndjekur nga bashkëekipieri Jorge Martín në vendin e dytë, ndërsa Raúl Fernández, nga ekipi SuperFile Trackhouse MotoGP, kompletoi podiumin në pozitën e tretë.
Gara shënoi gjithashtu paraqitjen e 100-të në MotoGP për Bezzecchin dhe Martínin.
Bezzecchi siguron fitoren e shtatë të sezonit
Marco Bezzecchi, i cili u nis nga pozita e parë, zhvilloi një garë të shkëlqyer, duke siguruar fitoren e shtatë sezonale, pas triumfeve në Buriram, Goiânia, Austin, Mugello, Mandalika dhe Lusail.
Për pilotin italian kjo ishte fitorja e 13-të në kategorinë kryesore të MotoGP-së dhe podiumi i 13-të i sezonit, ndërsa në karrierën e tij në këtë kategori ka arritur gjithsej 31 podiume.
Bezzecchi realizoi për herë të parë këtë sezon fitoren e dyfishtë, duke triumfuar si në garën sprint, ashtu edhe në garën kryesore.
Fundjava e tij u kompletua me pozitën e parë në kualifikime dhe rekordin e ri të pistës, të vendosur në sesionin Q2 me kohën 1:37.201.
Martín dhe Fernández kompletojnë podiumin
Jorge Martín, i cili u nis nga pozita e shtatë, zhvilloi një garë spektakolare dhe të luftuar. Piloti spanjoll qëndroi në mesin e garuesve kryesorë dhe përfundoi në vendin e dytë.
Për Martínin ky ishte podiumi i dhjetë i sezonit dhe i 42-ti në kategorinë kryesore të MotoGP-së.
Ndërkohë, Raúl Fernández, nga ekipi SuperFile Trackhouse MotoGP, përfundoi në vendin e tretë, duke kompletuar podiumin tërësisht të Aprilias.
Një rezultat të rëndësishëm arriti edhe Ai Ogura, i cili u rendit i pesti. Kështu, Aprilia vendosi katër motoçikleta RS-GP26 në pesë pozitat e para.
Aprilia rikthehet në krye të kampionatit për konstruktorë
Podiumi i trefishtë në Portimão ishte i pesti për Aprilian këtë sezon, pas sukseseve në Le Mans, Assen, Silverstone dhe Mandalika.
Me këtë fitore, Aprilia Racing regjistroi triumfin e tetë të sezonit, ndërsa motoçikleta RS-GP26 arriti fitoren e dhjetë sezonale.
Prodhuesi italian ka tashmë 312 fitore në Kampionatin Botëror të Motoçiklizmit, duke konsoliduar pozitën si prodhuesi evropian më i suksesshëm në këtë garë.
Rezultati në Portugali i mundësoi Aprilias të rikthehet në krye të renditjes së konstruktorëve me 598 pikë, nëntë më shumë se ndjekësi më i afërt.
Reagimet pas garës
Marco Bezzecchi u shpreh i kënaqur me fundjavën e zhvilluar në Portugali, duke falënderuar ekipin për punën e bërë.
“Është shumë bukur që më në fund arritëm të kemi një fundjavë të mirë nga fillimi deri në fund. Dua ta falënderoj të gjithë ekipin për punën e bërë. Ky është sezoni im më i mirë në MotoGP që nga debutimi dhe jam shumë i kënaqur me rezultatet që kemi arritur”, tha Bezzecchi.
Ai shtoi se beson se ekipi mund të përmirësohet edhe më shumë, ndërsa vlerësoi garën kundër Marc Márquezit.
“Jam i bindur se mund të përmirësohemi ende dhe këtë do të përpiqem ta bëj si në Valencia, ashtu edhe në vitin 2027. Ishte kënaqësi e madhe të garoja kundër një Marc kaq në formë. Ai ishte vërtet shumë i fortë. Urime për titullin”, u shpreh italiani.
Jorge Martín, nga ana tjetër, tha se është krenar për atë që ka arritur ekipi, duke e cilësuar sezonin si një vit ndërtimi pas lëndimeve të vitit 2025.
“Dua ta përgëzoj Marcin. Për mua ishte nder dhe privilegj të luftoja me të për këtë kampionat botëror. Ky ka qenë një vit ndërtimi për mua, për t’i njohur pistat ku nuk kisha garuar më parë me Aprilian dhe për të ndërtuar bazën tonë”, tha Martín.
Ai shtoi se besoi deri në fund në garën e Portimãos dhe është i kënaqur që vazhdon të grumbullojë podiume.
Drejtori ekzekutiv i Aprilia Racing, Massimo Rivola, e vlerësoi fundjavën si të përsosur për Bezzecchin, i cili siguroi pozitën e parë në kualifikime, fitoi garën sprint dhe garën kryesore, si dhe regjistroi xhiron më të shpejtë.
Rivola vlerësoi gjithashtu paraqitjen e Martínit, duke marrë parasysh gjendjen e tij fizike, si dhe rezultatet e Fernándezit dhe Ogurës.
Ai theksoi se titulli i kampionatit për ekipe ka një rëndësi të veçantë, pasi pasqyron punën e gjithë grupit të Aprilias.
Në Kosovë, Ventoro Motors by Auto Mita është përfaqësues zyrtar i markës Aprilia, duke ua mundësuar motoçiklistëve qasje në modelet e prodhuesit italian, të njohur për teknologjinë e avancuar, performancën dhe traditën e pasur në motorsport./et



