Përgatiti: Leonard Veizi
Më 25 nëntor 1973, Greqia përjetoi një tjetër grusht shteti ushtarak, por këtë herë ndryshimi i pushtetit nuk erdhi nga kundërshtarët e regjimit. Ai u organizua nga vetë njerëzit që kishin ndërtuar dhe mbajtur në këmbë diktaturën ushtarake. Gjenerali Dhimitrios Ioanidis, një prej figurave më të fuqishme dhe më të frikshme të aparatit represiv, përmbysi presidentin Jorgos Papadhopullos dhe mori kontrollin e vendit.
Përplasja brenda juntës ishte kulmi i një krize që kishte nisur të thellohej prej muajsh. Greqia jetonte nën sundimin e kolonelëve që prej 21 prillit 1967, kur një grup oficerësh të ushtrisë kishte marrë pushtetin me dhunë, duke pezulluar institucionet demokratike, kufizuar liritë politike dhe vendosur censurën. Gjatë viteve të sundimit të tyre, kundërshtarët politikë u arrestuan, u internuan dhe iu nënshtruan torturave.
Në vitin 1973, Papadhopullosi u përpoq t’i jepte regjimit një pamje më të moderuar. Ai shpalli fundin formal të monarkisë, mori postin e presidentit të republikës dhe lejoi një rikthim të kufizuar të institucioneve civile. Por këto ndryshime nuk nënkuptonin largimin e ushtrisë nga pushteti. Përkundrazi, synimi ishte që diktatura të ruante kontrollin duke ndryshuar formën e saj.
Ioanidisi, drejtuesi i policisë ushtarake dhe një kundërshtar i vendosur i këtij kursi, e konsideronte çdo lëshim si rrezik për mbijetesën e juntës. Ai kishte në duart e tij një aparat të fuqishëm sigurie dhe mbështetje në radhët e oficerëve që nuk dëshironin asnjë hap drejt liberalizimit.
Tanket në rrugët e Athinës
Në orët e para të 25 nëntorit, njësitë e ushtrisë dolën në rrugët e Athinës. Tanket morën pozicione pranë ndërtesave strategjike dhe institucioneve shtetërore. Grushti i shtetit u realizua pothuajse pa rezistencë. Papadhopullosi u arrestua në rezidencën e tij në Lagoniçi, një zonë bregdetare në jug të kryeqytetit.
Ioanidisi nuk e mori vetë zyrtarisht postin e presidentit. Ai vendosi në krye të shtetit gjeneralin Fedhon Gizikis, ndërsa postin e kryeministrit ia besoi Adamandios Andrucopullosit. Por këto emërime ishin kryesisht formale. Pushteti real ndodhej në duart e Ioanidisit, i cili drejtonte vendin nga prapaskena.
Me ardhjen e tij, çdo përpjekje për liberalizimin e regjimit u ndërpre. U rikthye gjendja e jashtëzakonshme, u ashpërsua censura dhe represioni ndaj kundërshtarëve politikë mori përmasa të reja.
Grushti i shtetit erdhi vetëm tetë ditë pas kryengritjes së studentëve të Politeknikut të Athinës, e cila ishte shtypur me dhunë më 17 nëntor. Studentët kishin pushtuar universitetin dhe përmes një radioje të improvizuar u kishin bërë thirrje qytetarëve të ngriheshin kundër diktaturës. Tanket kishin thyer portën e Politeknikut, ndërsa forcat ushtarake dhe policore kishin hapur zjarr ndaj protestuesve në rrugët e kryeqytetit.
Bilanci i viktimave të atyre ditëve mbetet një çështje e studiuar nga historianët. Hulumtimet kanë dokumentuar 24 të vrarë në lidhje me shtypjen e kryengritjes, shumica në rrugët e Athinës. Nuk ka prova të konfirmuara për viktima të vrara brenda oborrit të universitetit, por kjo nuk e ndryshon faktin se represioni shkaktoi të vdekur dhe qindra të plagosur.
Kryengritja studentore nuk e rrëzoi menjëherë juntën, por ekspozoi përçarjen e thellë brenda saj. Ioanidisi dhe grupi i oficerëve radikalë e shfrytëzuan krizën për të përmbysur Papadhopullosin dhe për të rikthyer një diktaturë edhe më të ashpër.
Nga Qiproja në fundin e diktaturës
Regjimi i Ioanidisit nuk zgjati shumë. Tetë muaj pas marrjes së pushtetit, ai do të përballej me krizën që do të sillte fundin e juntës ushtarake greke.
Më 15 korrik 1974, me mbështetjen e Athinës zyrtare, Garda Kombëtare e Qipros ndërmori një grusht shteti kundër presidentit Makarios III, me synimin për ta bashkuar ishullin me Greqinë. Por ndërhyrja ushtarake turke, e nisur më 20 korrik, e shndërroi aventurën politike të juntës në një katastrofë kombëtare. Turqia pushtoi pjesën veriore të ishullit, duke shkaktuar një krizë të rëndë ushtarake, politike dhe humanitare.
Ushtria greke, e gjendur përballë mundësisë së një konflikti të drejtpërdrejtë me Turqinë, nuk ishte më e gatshme të mbështeste drejtuesit e juntës. Më 23 korrik 1974, regjimi ushtarak u shemb. Ish-kryeministri Konstantin Karamanlis, i cili jetonte në mërgim në Francë, u thirr të kthehej në Athinë për të drejtuar qeverinë e tranzicionit. Kështu nisi periudha e njohur në historinë greke si Metapolitefsi, rikthimi në demokraci.
Në dhjetor 1974, një referendum hodhi poshtë rivendosjen e monarkisë dhe Greqia u bë përfundimisht republikë parlamentare. Karamanlisi drejtoi qeverinë deri në vitin 1980, duke udhëhequr procesin e rindërtimit të institucioneve demokratike. Nën drejtimin e tij, Greqia nënshkroi traktatin e anëtarësimit në Bashkësinë Ekonomike Evropiane në vitin 1979 dhe u bë anëtare e saj më 1 janar 1981.
Fati i drejtuesve të juntës
Pas rikthimit të demokracisë, drejtuesit e diktaturës dolën përpara drejtësisë. Jorgos Papadhopullosi u dënua me vdekje për tradhti të lartë, por dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Ai nuk u lirua, pavarësisht përpjekjeve të mëvonshme për të përfituar nga gjendja e rënduar shëndetësore. Vdiq më 27 qershor 1999, në një spital burgu në Athinë.
Dhimitrios Ioanidisi, njeriu që kishte organizuar grushtin e shtetit të nëntorit 1973 dhe kishte drejtuar vendin nga prapaskena, u arrestua pas rënies së diktaturës. Ai u dënua me burgim të përjetshëm për tradhti të lartë dhe pjesëmarrje në grushtin e shtetit të vitit 1967. Vdiq në burg, më 16 gusht 2010.
Grushti i shtetit i 25 nëntorit 1973 mbetet një episod domethënës i historisë moderne greke. Ai dëshmoi se një diktaturë mund të përfshihet në përplasje të brendshme edhe kur kundërshtarët e saj janë të shtypur. Por përmbysja e një diktatori nga një tjetër nuk do të thotë ndryshim i sistemit. Në Athinë, në nëntorin e vitit 1973, u ndërrua njeriu që mbante frenat e pushtetit, ndërsa demokracia do të duhej të priste edhe tetë muaj të tjerë.
