Ndryshimi paqësor i sistemit politik në Çekosllovaki hyri në histori me emrin Revolucioni i Kadifenjtë. Më 24 nëntor, udhëheqja e Partisë Komuniste dha dorëheqjen, ndërsa demonstratat masive dhe greva e përgjithshme i dhanë goditjen përfundimtare regjimit.
Daniel Scheschkewitz
Me përjashtim të ndërhyrjeve të dhunshme të policisë ndaj protestuesve, ndryshimi i sistemit politik në Çekosllovaki u realizua pa gjakderdhje dhe pa një përplasje të armatosur. Partia Komuniste, e cila kishte sunduar vendin për më shumë se katër dekada, nuk kishte më forcën politike dhe mbështetjen shoqërore për t’i bërë ballë kërkesës së përgjithshme për ndryshim.
Shkëndija që ndezi Revolucionin e Kadifenjtë ishte demonstrata studentore e 17 nëntorit 1989 në Pragë. Mijëra studentë u mblodhën për të përkujtuar Jan Opletalin, studentin çek të mjekësisë, i cili ishte plagosur për vdekje nga forcat naziste gjatë protestave kundër pushtimit gjerman në vitin 1939.
Por marshimi përkujtimor, i zhvilluar vetëm tetë ditë pas rënies së Murit të Berlinit, mori shpejt karakter politik. Protestuesve iu bashkuan qytetarë të tjerë dhe në parullat e tyre nisi të dëgjohej gjithnjë e më fort kërkesa për liri dhe demokraci.
Në rrugën Narodni, në qendër të Pragës, policia bllokoi demonstruesit dhe ndërhyri brutalisht me shkopinj gome. Sipas të dhënave të komisionit të pavarur mjekësor, 568 persona u plagosën. Pamjet dhe dëshmitë e dhunës shkaktuan zemërim në të gjithë vendin.
Thirrja për grevë dhe bashkimi i qytetarëve
Të nesërmen, studentët e universiteteve të Pragës shpallën grevë. Atyre iu bashkuan edhe aktorët e teatrove, ndërsa protestat nisën të përhapeshin në qytete të tjera.
Më 19 nëntor u krijua Forumi Qytetar, një lëvizje opozitare që bashkonte intelektualë, artistë, studentë dhe kundërshtarë të regjimit. Një nga figurat kryesore të saj ishte shkrimtari Vaclav Havel, i cili për shkak të veprimtarisë së tij disidente dhe pjesëmarrjes në lëvizjen për të drejtat e njeriut Karta 77, kishte kaluar afro katër vjet e gjysmë në burg.
Ndërkohë, kryetari i qeverisë së Republikës Socialiste Çeke, Frantishek Pitra, u përpoq të qetësonte situatën përmes një fjalimi televiziv. Ai foli për procesin e reformave dhe demokratizimit, por fjalët e tij nuk arritën të bindnin një shoqëri që tashmë kërkonte ndryshime shumë më të thella.
Më 24 nëntor, në Pragë u zhvillua një tjetër demonstratë masive. Turma brohoriste emrin e Havelit, ndërsa në skenën politike u shfaq edhe Aleksandër Dubçeku, udhëheqësi i reformave të Pranverës së Pragës të vitit 1968, i cili ishte përjashtuar nga jeta politike pas ndërhyrjes ushtarake sovjetike.
Po atë ditë ndodhi një zhvillim vendimtar: Millosh Jakeshi, sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste, dhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike dhanë dorëheqjen. Në vend të tij u emërua Karel Urbaneku. Regjimi kishte humbur tashmë drejtimin politik të vendit.
Motoja e Revolucionit të Kadifenjtë
Një nga shprehjet që u lidhën më fort me Vaclav Havelin dhe lëvizjen demokratike ishte: “E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrën dhe urrejtjen”. Kjo moto u bë një prej simboleve morale të revolucionit.
Megjithatë, udhëheqja komuniste nuk ishte ende gati të hiqte dorë plotësisht nga pushteti. Më 27 nëntor, një grevë e përgjithshme dyorëshe paralizoi veprimtarinë në të gjithë vendin. Punëtorët, studentët dhe qytetarët u bashkuan në një demonstrim të jashtëzakonshëm të vullnetit popullor. Ishte e qartë se regjimi nuk mund të vazhdonte më.
Më 28 nëntor, Partia Komuniste pranoi t’i jepte fund monopolit të saj politik. Pak ditë më vonë, më 5 dhjetor, nisi heqja e telave me gjemba në kufirin me Austrinë, një prej simboleve më të prekshme të ndarjes së vendit nga Evropa Perëndimore.
Më 10 dhjetor, presidenti Gustav Husak emëroi një qeveri të re, në të cilën shumicën e vendeve e zunë përfaqësuesit jo-komunistë. Po atë ditë, ai dha dorëheqjen nga posti i presidentit.
Kulmi politik i revolucionit u arrit më 29 dhjetor 1989, kur Vaclav Havel u zgjodh president i Çekosllovakisë. Një shkrimtar dhe ish-i burgosur politik merrte kështu drejtimin e shtetit që për dekada kishte drejtuar jetën e tij përmes censurës dhe represionit.
Revolucioni i Kadifenjtë e mori emrin nga mënyra paqësore me të cilën u realizua ndryshimi i pushtetit. Ai u bë një prej ngjarjeve më domethënëse të rënies së komunizmit në Evropën Lindore. Katër vjet më vonë, më 1 janar 1993, Çekosllovakia u nda në dy shtete të pavarura: Republikën Çeke dhe Sllovakinë. Kjo ndarje, e njohur si Divorci i Kadifenjtë, u realizua gjithashtu pa konflikt të armatosur.
Përgatiti për botim: Leonard Veizi
