Last Updated on 23/11/2026 by Monika
Këngëtarja e njohur iraniane Parastoo Ahmadi dhe katër anëtarë të ekipit të saj janë dënuar me 74 goditje me kamxhik nga autoritetet në Iran, pasi ajo performoi pa hixhab dhe me veshje që binte ndesh me rregullat e vendit.
Lajmi është konfirmuar nga avokatët e saj për BBC, të cilët bëjnë të ditur se vendimi është ekzekutuar në qytetin e Komit. Ahmadi, 29 vjeçe, kishte interpretuar me një fustan pa mëngë në një koncert të transmetuar drejtpërdrejt në dhjetor të vitit 2024.
Në qershor, një gjykatë penale në Kom e shpalli fajtore këngëtaren dhe tetë persona të tjerë për cenim të moralit publik, përmes publikimit të materialeve të konsideruara të papërshtatshme. Ata i kishin mohuar akuzat. Përveç 74 goditjeve me kamxhik, të dënuarit u ndaluan të zhvillonin aktivitete audiovizive dhe të largoheshin nga vendi për një periudhë dyvjeçare. Në fund të shtatorit, Gjykata e Apelit rrëzoi kërkesën e tyre dhe la në fuqi dënimin.
Avokatët thanë se kishin bërë përpjekje për të anuluar vendimin ose të paktën për të ulur dënimin, por pa sukses. Sipas tyre, ekzekutimi u krye në zyrën e ekzekutimit të vendimeve penale në Kom. Krahas Ahmadi-t, me nga 74 goditje u ndëshkuan edhe katër bashkëpunëtorë të saj: Soheil Faghih-Nasiri, Amin Taheri, Amirali Pirnia dhe Mohsen Lashkari.
Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta nga artistë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, të cilët e kanë cilësuar ndëshkimin si mizor dhe çnjerëzor. Bahar Ghandehari, drejtoreshë e avokimit në Qendrën për të Drejtat e Njeriut në Iran, deklaroi se ndëshkimi i këngëtares për mënyrën sesi këndon dhe vishet përbën shkelje të hapur të të drejtave themelore dhe tregon përpjekjet e autoriteteve për të kufizuar liritë e grave.
Në Iran, ligji i bazuar në interpretimin e autoriteteve të Sheriatit detyron gratë dhe vajzat pas pubertetit të mbulojnë flokët me hixhab dhe të veshin rroba të gjera që fshehin format e trupit. Kundërshtimi ndaj këtyre rregullave u përhap në të gjithë vendin pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares Mahsa Amini në vitin 2022, e arrestuar nga policia e moralit, për shkak të mënyrës sesi mbante shaminë. Protestat u shoqëruan me djegien e shalleve dhe përplasje me forcat e sigurisë, ku humbën jetën qindra persona.
Që prej asaj kohe, shumë gra kanë refuzuar të mbajnë hixhabin në ambiente publike, ndërsa autoritetet kanë reaguar me arrestime, paralajmërime dhe masa të tjera ndëshkuese. Sipas organizatës Iran Human Rights, me seli në Norvegji, pas shtypjes së protestave të janarit janë ekzekutuar të paktën 39 burra të dënuar për pjesëmarrje në to, si dhe persona të tjerë të akuzuar për lidhje me grupe opozitare apo bashkëpunim me shtete të huaja.
Organizata paralajmëron gjithashtu se 121 protestues të tjerë, mes tyre gjashtë gra dhe pesë të mitur, janë dënuar me vdekje dhe rrezikojnë ekzekutimin./mxh
