Ukraina duket se po zgjeron veprimet e saj ushtarake përtej vijës së frontit, duke e zhvendosur një pjesë të konfliktit me Rusinë drejt Mesdheut. Pas një operacioni me shtatë dronë detarë, që sipas raportimeve çoi në fundosjen e korvetës ruse “Mercury” dhe goditjen e një anijeje mallrash të përdorur për transportimin e pajisjeve ushtarake, Kievi po demonstron kapacitetet e avancuara teknologjike në përdorimin e mjeteve autonome dhe pa pilot.
Operacioni ka ngritur shqetësime në vendet e Evropës Jugore dhe në shtetet e Mesdheut Lindor, pasi tregon se Ukraina mund të ndërmarrë goditje në distanca shumë të largëta nga territori i saj. Rreziku lidhet me mundësinë që përplasja mes Moskës dhe Kievit të përhapet edhe në zona të tjera të kontinentit.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka shprehur shqetësimin për këtë zhvillim, duke deklaruar se është alarmante mundësia që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të zhvillohet vetëm disa qindra kilometra larg Italisë.
Operacioni në Bengazi, 2,400 kilometra larg frontit
Një nga elementet më të rëndësishme të operacionit ukrainas është vendndodhja e tij. Sulmi ndaj dy anijeve ruse u zhvillua në zonën portuale të Bengazit, në Libinë lindore, rreth 2,400 kilometra larg vijës së frontit në Ukrainë.
Ky zhvillim nxjerr në pah kapacitetin e mundshëm të forcave ukrainase për të operuar në distanca të mëdha dhe jashtë territorit të tyre. Ai vjen vetëm një javë pas sulmit ndaj Urës së Kerçit, një pikë strategjike për furnizimin e Krimesë.
### **Libia, përplasja e interesave ruse, turke dhe ukrainase**
Prania dhe aktiviteti i mundshëm ukrainas në Libi lidhen edhe me situatën e paqëndrueshme politike në vend, e cila u ka krijuar hapësirë fuqive të huaja për të ndërtuar marrëdhënie me aktorë të ndryshëm lokalë dhe për të siguruar pozicione ushtarake.
Në lindje të Libisë, Rusia ka zhvilluar marrëdhënie të ngushta me forcat e gjeneralit Khalifa Haftar dhe Ushtrinë Kombëtare Libiane. Moska përdor porte si Bengazi dhe Tobruku për furnizimin me karburant të anijeve, transportimin e pajisjeve dhe mbështetjen e operacioneve të saj në Afrikë.
Pas humbjes së pozicioneve të rëndësishme në Siri, Libia ka marrë një rëndësi të shtuar për praninë ruse në rajon. Sipas raportimeve, Moska ka gjithashtu prani ajrore në baza libiane, ku operojnë avionë luftarakë, dronë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.
Në anën tjetër, Turqia mbështet Qeverinë e Unitetit Kombëtar në Tripoli, në Libinë perëndimore. Ankaraja ofron teknologji ushtarake, dronë Bayraktar, trajnime dhe prani në baza ushtarake, përfshirë atë të Al-Watiya. Megjithatë, Turqia po përpiqet njëkohësisht të zgjerojë ndikimin edhe në kampin e Haftarit, duke synuar një rol më të madh në zhvillimet politike dhe ushtarake të vendit.
Paralajmërimi i CIA-s për sulme të mundshme ruse në Evropë
Në të njëjtën kohë, shërbimet amerikane të inteligjencës kanë ngritur shqetësime për një tjetër skenar të mundshëm përshkallëzimi në Evropën Jugore.
Sipas raportimeve të Euronews, CIA ka paralajmëruar shtetet e rajonit për mundësinë e një përgjigjeje ruse ndaj goditjeve ukrainase, përmes përdorimit të dronëve të lëshuar nga anije tregtare.
Skenari i përmendur lidhet me përdorimin e dronëve rusë të tipit “Gerbera”, me rreze veprimi deri në 600 kilometra, të cilët mund të lëshoheshin nga anije të maskuara si mjete të zakonshme tregtare.
Informacioni, i publikuar nga gazeta spanjolle “El Mundo”, thuhet se bazohet në të dhëna të marra nga qeveria lituaneze.
Spanja, Franca dhe Italia përmenden si vende potencialisht të ekspozuara ndaj një skenari të tillë. Sipas raportimeve, shqetësimi lidhet edhe me boshllëqet në sistemet e mbrojtjes ajrore, pasi jo të gjitha këto vende kanë kapacitete të plota për të përballuar çdo lloj kërcënimi me dronë.
Zhvillimet në Mesdhe tregojnë se përplasja Rusi-Ukrainë po merr një dimension më të gjerë gjeografik, ndërsa prania ushtarake e fuqive të ndryshme në Libi dhe mundësia e operacioneve nga anijet tregtare shtojnë shqetësimet për sigurinë në rajon./ad
