Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka shpallur objektiva të reja për rritjen e pagave në Greqi gjatë viteve të ardhshme.
Ai deklaroi se paga mesatare mund të arrijë në 1,800 euro deri në vitin 2030, ndërsa paga minimale pritet të kalojë 1,000 euro që në vitin 2028. Sipas tij, realizimi i këtyre objektivave varet nga rritja ekonomike e vendit me një ritëm të paktën dy herë më të lartë se mesatarja evropiane.
Mitsotakis theksoi se ekonomia greke duhet të vazhdojë transformimin drejt një modeli më konkurrues dhe më të orientuar nga tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, ai pranoi se rritjet e pagave gjatë pesë viteve të fundit janë zbehur ndjeshëm nga shtrenjtimi i jetesës dhe vala e inflacionit.
Sipas kryeministrit, paga mesatare për punonjësit me kohë të plotë ka kaluar tashmë 1,500 euro, ndërsa qeveria synon të çojë pagën minimale në 920 euro. Ai nënvizoi se sfida kryesore mbetet përmirësimi real i të ardhurave të familjeve dhe përkthimi i rritjes ekonomike në një jetë më të mirë për qytetarët.
Mitsotakis e cilësoi Greqinë si një përjashtim pozitiv në Evropë, duke theksuar se vendi po ul borxhin publik dhe po krijon mundësi financiare për mbështetjen e familjeve./k.m
