Fausto Isidro Meza Flores, i njohur me nofkën “El Chapo Isidro” dhe i konsideruar si një nga figurat më të rëndësishme të organizatës kriminale Beltrán Leyva, nuk do të ekstradohet menjëherë në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet meksikane kanë vendosur që ai të përballet fillimisht me drejtësinë në vendin e tij, pavarësisht kërkesës zyrtare të Uashingtonit për ta marrë në dorëzim.
Vendimi u bë i ditur të hënën, më 23 nëntor, nga prokurorja e përgjithshme e Meksikës, Ernestina Godoy, e cila deklaroi se procesi gjyqësor ndaj tij do të zhvillohet në territorin meksikan. “Do ta gjykojmë në këtë vend”, u shpreh ajo përpara gazetarëve, duke sqaruar se do të respektohen të gjitha procedurat ligjore përpara se të merret një vendim për hapat e mëtejshëm.
FBI e kishte mes 10 më të kërkuarve, “El Chapo
Sipas raportimeve të mediave meksikane, përfshirë El Universal, La Razón dhe El País México, mbrojtja e Meza Flores ka kërkuar zgjatjen e afatit kushtetues për përcaktimin e situatës së tij juridike. Kjo do t’i japë më shumë kohë gjykatës për të shqyrtuar provat dhe prokurorisë për të konsoliduar akuzat. Ndërkohë, ai është lënë në paraburgim në burgun federal të sigurisë së lartë Altiplano, një prej institucioneve më të rrepta të vuajtjes së dënimit në Meksikë.
Shtetet e Bashkuara e kishin shpallur prej kohësh në kërkim ndërkombëtar Meza Flores, duke e përfshirë edhe në listën e dhjetë personave më të kërkuar nga FBI-ja. Për informacione që do të çonin në arrestimin e tij ishte ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh. Autoritetet amerikane e akuzojnë për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, që dyshohet se furnizonte tregun amerikan me heroinë, kokainë, metamfetaminë, marihuanë dhe fentanil. Në dosjen amerikane përfshihen edhe akuza për drejtimin e një organizate kriminale dhe narkoterrorizëm.
Meza Flores u paraqit përpara autoriteteve gjyqësore së bashku me dy persona të tjerë të arrestuar gjatë të njëjtit operacion, të identifikuar si Herman, i njohur me nofkën “Serafín”, dhe Jose. Të tre dyshohen për përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me trafikun e drogës, posedimin e armëve dhe municioneve të përdorimit ushtarak, si dhe mbajtjen e metamfetaminës me qëllim shitjen e saj.
Ndërkohë, prokurorja Godoy bëri të ditur se në Sinaloa ekzistojnë edhe urdhër-arreste të tjera që lidhen me këtë çështje dhe se autoritetet do të vijojnë veprimet për kapjen e personave të përfshirë në rrjetin kriminal. Kjo tregon se operacioni kundër organizatës nuk është konsideruar i përfunduar me arrestimin e drejtuesit të saj.
Operacioni që përfundoi me 20 viktima
“El Chapo Isidro” u arrestua më 20 nëntor në Guasave, në shtetin e Sinaloas, gjatë një operacioni të madh të forcave speciale të ushtrisë meksikane dhe Gardës Kombëtare, të koduar “Centella”.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet meksikane dhe të raportuara nga El País dhe televizioni N+, në operacion u angazhuan 361 efektivë ushtarakë dhe 14 mjete ajrore. Kapja e tij ishte rezultat i një hetimi të gjatë dhe bashkëpunimit të inteligjencës me Shtetet e Bashkuara, të cilat ndihmuan në lokalizimin e vendstrehimit të tij përmes mjeteve të mbikëqyrjes ajrore dhe shkëmbimit të informacionit.
Operacioni u zhvillua në disa faza, duke nisur me rrethimin e zonës ku fshihej i kërkuari dhe më pas ndërhyrjen për arrestimin e tij. Sipas pamjeve të publikuara nga Ministria meksikane e Mbrojtjes, Meza Flores dhe personat që ndodheshin me të u kapën brenda një banese në Guasave. Autoritetet kanë bërë të ditur se ai nuk bëri rezistencë në momentin e arrestimit.
Megjithatë, situata u përshkallëzua gjatë përplasjes me persona të armatosur që dyshohet se i përkisnin organizatës së tij. Bilanci përfundimtar i raportuar nga autoritetet ishte 20 viktima: 16 persona të dyshuar si pjesëtarë të grupeve kriminale dhe katër ushtarë meksikanë. Gjithashtu, disa efektivë të tjerë mbetën të plagosur.
Pas arrestimit, në disa zona të Sinaloas u regjistruan akte dhune, me bllokime rrugësh, automjete të djegura dhe sulme ndaj forcave të sigurisë. Sipas raportimeve të El País, u bllokuan 21 akse rrugore dhe u dogjën dhjetëra automjete, duke shkaktuar kaos dhe ndërprerje të qarkullimit në rajon. Banorët u detyruan të qëndronin të mbyllur në banesat e tyre, ndërsa forcat e sigurisë vijuan patrullimet për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Gjatë operacionit, ushtria sekuestroi një arsenal të konsiderueshëm armësh, përfshirë mitralozë, granatahedhës dhe armë të kalibrit të rëndë. Gjithashtu, u sekuestruan 17 automjete, tetë prej të cilave kishin blindazh të improvizuar.
Tetë arrestime të tjera pas kapjes së drejtuesit
Operacionet kundër rrjetit kriminal vijuan edhe pas arrestimit të Meza Flores. Më 22 nëntor, forcat e sigurisë ndërhynë në komunën e Sinaloa de Leyva, ku arrestuan tetë persona të tjerë të dyshuar si pjesëtarë të organizatës, mes tyre edhe një të mitur.
Gjatë këtij operacioni u sekuestruan armë, municione, lëndë narkotike, pajisje taktike dhe gjashtë automjete, dy prej të cilave me blindazh të improvizuar. Këto arrestime janë pjesë e përpjekjeve të autoriteteve për të goditur strukturën drejtuese dhe rrjetin e bashkëpunëtorëve të organizatës.
Kush është “El Chapo Isidro”?
Fausto Isidro Meza Flores konsiderohet një prej drejtuesve më të fuqishëm të organizatës kriminale Beltrán Leyva, e cila ka qenë prej vitesh e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Ai dyshohet se ka kontrolluar një rrjet të rëndësishëm të shpërndarjes së drogës drejt Shteteve të Bashkuara, veçanërisht të fentanilit dhe metamfetaminës.
Gjatë viteve të fundit ai kishte zgjeruar ndikimin e tij në Sinaloa dhe kishte krijuar aleanca me fraksionin “Los Mayos”, një nga grupet brenda Kartelit të Sinaloas. Ky bashkëpunim i kishte mundësuar të ruante kontrollin mbi disa prej rrugëve tokësore dhe detare të trafikut të drogës drejt tregut amerikan.
Arrestimi i tij konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme të kohëve të fundit ndaj strukturave kriminale në Meksikë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kapja e një drejtuesi të lartë nuk nënkupton domosdoshmërisht shpërbërjen e organizatës, pasi rrjetet e tilla mund të vazhdojnë aktivitetin përmes drejtuesve të tjerë ose të përfshihen në përplasje të reja për kontrollin e territoreve dhe rrugëve të trafikut.
Ndërkohë, çështja e ekstradimit të “El Chapo Isidro” mbetet një tjetër pikë e rëndësishme, pasi Uashingtoni kërkon që ai të përballet me akuzat në gjykatat amerikane, ndërsa Meksika ka vendosur që fillimisht të zhvillojë procesin e saj gjyqësor.
