Gazetari Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke i lidhur ato me dobësimin politik të Edi Ramës dhe frikën e kryeministrit nga humbja e kontrollit mbi partinë.
Sipas Shkullakut, ndryshimet që po ndodhin në Shqipëri, veçanërisht dalja e mijëra qytetarëve në protesta dhe thyerja e frikës, kanë nxjerrë në pah një realitet të ri politik. Ai u shpreh se Rama, pavarësisht se ka dalë nga zgjedhjet me 84 mandate të PS-së dhe tre të PSD-së, ndodhet në pikën më të dobët të karrierës së tij politike.
Ai tha se protesta dhe dalja e njerëzve në rrugë kanë treguar një fuqi qytetare që më parë nuk mendohej se ekzistonte, ndërsa kanë zhvlerësuar edhe propagandën e kryeministrit dhe imazhin që ai ka ndërtuar përmes komunikimit publik dhe mediave të huaja.
Në analizën e tij, Shkullaku theksoi se e vetmja armë që i mbetet Ramës për të ruajtur pushtetin dhe për të negociuar politikisht është kontrolli mbi Partinë Socialiste. Për këtë arsye, sipas tij, kryeministri po godet çdo figurë apo zë brenda partisë që mund të vërë në pikëpyetje autoritetin e tij.
“Ajo që doja të thoja është se atë që po ndodh në Partinë Socialiste duhet ta shikojmë nga këndvështrimi i ndryshimeve që kanë ndodhur në Shqipëri. Pra, kanë ndodhur disa gjëra që më parë nuk i kishim menduar se mund të ndodhnin.Nuk kishim menduar ndonjëherë që sheshi i Tiranës do të nxirrte 100 mijë njerëz. Nuk e kishim menduar që Edi Rama, pikërisht në momentin kur dukej më i fuqishëm se kurrë, me 84 mandate plus 3 të PSD-së, pra 87 mandate, të ishte sot politikani më i dobët që ka pasur ndonjëherë, me fuqinë më të dobët politike. Flas politikisht, sepse fuqinë policore dhe ushtarake mund ta mbajë sa të dojë.”/ad
