Largimet nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiç po shtrihen edhe në nivelin lokal. Këshilltari në Kuvendin e Qytetit të Beogradit, Vuk Staniç, ka njoftuar largimin nga grupi i këshilltarëve të SNS-së, duke shprehur hapur pakënaqësinë me vendimet e udhëheqjes së partisë.
Arsyeja kryesore e largimit, sipas tij, është vendimi i Vuçiçit që këshilltarët e SNS-së të mos marrin më fjalën në seancat e Kuvendit të Beogradit deri në përfundim të mandatit.
Sipas këtij udhëzimi, këshilltarët do të mund të votonin vetëm sipas direktivave të partisë, ndërsa në emër të gjithë grupit do të fliste vetëm shefi i tij, Aleksandar Mirkoviç.
Staniç ka bërë të ditur se kur iu bashkua SNS-së, me ftesë të Luka Petroviçit, ishte arritur marrëveshja që ai, në cilësinë e këshilltarit, të kishte të drejtën të merrte fjalën dhe të merrte pjesë në debatet parlamentare, duke i njoftuar paraprakisht kolegët e partisë.
“Meqë kjo marrëveshje tani është shkelur, unë nuk kam më asnjë detyrim të jem pjesë e grupit të këshilltarëve”, ka deklaruar Staniç.

Një tjetër arsye e largimit lidhet me strategjinë politike të SNS-së dhe synimet e saj për të ardhmen. Staniç pretendon se Vuçiç, në takimet me këshilltarët, ka folur për mundësinë që partia një ditë t’i humbë zgjedhjet, por më pas të rikthehet në pushtet, sipas modelit të Unionit Demokratik Kroat (HDZ).
Staniç ka theksuar se këto qëndrime kanë ndikuar në vendimin e tij për t’u larguar nga grupi i këshilltarëve.
Ndërkohë, Vuçiç, pas përfundimit të mandatit si president i Serbisë, është bërë deputet dhe kreu i grupit parlamentar të SNS-së në Kuvendin e Serbisë./k.m
