Andrew Mountbatten-Windsor, ish-Duka i Jorkut, është përfshirë në një betejë ligjore në Britaninë e Madhe, pas zbulimit se ka marrë 750 mijë paund nga milionerja turke Nebahat Isbilen.
Pagesa është pjesë e një padie ku biznesmenja 81-vjeçare pretendon se është mashtruar nga ish-këshilltari i saj financiar, Selman Turk, duke humbur rreth 38 milionë paund.
Sipas pretendimeve të paraqitura në Gjykatën e Lartë të Anglisë dhe Uellsit, Isbilen kishte miratuar transferimin e parave në vitin 2019, duke besuar se ato do të përdoreshin për ta ndihmuar me një çështje që lidhej me pasaportën e saj. Turk, nga ana tjetër, pretendon se pagesa ishte menduar për të siguruar ndërhyrjen e mundshme të Andrew në favor të bashkëshortit të saj, i cili ndodhet në burg në Turqi.
Andrew i ka kthyer tashmë 750 mijë paundët dhe nuk akuzohet për shkelje ligjore në këtë çështje.
Gjatë procesit gjyqësor janë zbuluar edhe transaksione të tjera që përfshijnë familjen mbretërore. Sipas avokatëve të biznesmenes, Turk kishte urdhëruar një pagesë prej 15 mijë paundësh për Sarah Ferguson, ish-bashkëshorten e Andrew, me rastin e ditëlindjes së saj të 60-të. Gjithashtu, është përmendur edhe një pagesë e dyshuar si dhuratë martese për Princeshën Beatrice.
Çështja lidhet me pretendimet e Isbilen se ish-këshilltari financiar ka abuzuar me besimin e saj dhe ka transferuar miliona paund drejt kompanive që kontrollonte vetë. Turk i mohon akuzat dhe pretendon se biznesmenja ishte në dijeni të transaksioneve.
Një nga pikat kryesore të gjyqit është edhe një darkë private e zhvilluar në dhjetor 2019, ku morën pjesë Isbilen, Andrew dhe Sarah Ferguson. Gjatë takimit, biznesmenja kishte diskutuar me ta për bashkëshortin e saj të burgosur në Turqi.
Andrew pritet të dëshmojë më 14 dhjetor 2026 lidhur me rrethanat e pagesës prej 750 mijë paundësh. Seanca gjyqësore pritet të vijojë deri në mars 2027, ndërsa vendimi përfundimtar do të jepet në një datë të mëvonshme./ad
