Last Updated on 24/11/2026 by EL
Dy anije ruse janë goditur në Mesdhe, ndërsa njëra prej tyre raportohet se është fundosur plotësisht. Ngjarja në portin e Bengazit, në Libi, ka nxjerrë në pah një rrjet të transportit të armëve dhe municioneve ruse, që sipas analizave dhe burimeve ushtarake funksiononte prej kohësh në këtë zonë.
Në qendër të vëmendjes është anija tregtare ruse “Angara”, e cila prej vitesh dyshohet se transportonte armë dhe municione nga Koreja e Veriut drejt Rusisë. Sipas të dhënave të analistëve që kanë ndjekur lëvizjet e saj përmes pamjeve satelitore, anija kryente udhëtime të përsëritura mes portit të Rajinit në Korenë e Veriut dhe porteve ruse në Lindjen e Largët.
Ngarkesat përbëheshin kryesisht nga municione, të cilat më pas transportoheshin me hekurudhë drejt pjesëve perëndimore të Rusisë dhe zonës së Donbasit, ku po zhvillohet lufta me Ukrainën.
Sipas analistit të njohur si “Osc_london”, vetëm gjatë periudhës shtator 2023-mars 2025, anija “Angara” ka transportuar rreth 15.809 kontejnerë nga Koreja e Veriut. Inteligjenca ukrainase vlerëson se 60 për qind e tyre përmbanin predha artilerie 122 mm, 25 për qind predha 152 mm dhe pjesa tjetër raketa 122 mm. Në total, llogaritet se kjo anije mund t’i ketë furnizuar Rusisë me rreth 4.25 milionë municione.
Një pjesë e këtyre ngarkesave përfundonte në depon ushtarake ruse të Tikhoretskut, e cila u godit nga një sulm ukrainas në shtator të vitit 2024, në një moment kur aty kishte mbërritur një ngarkesë me municione nga Koreja e Veriut.
Por aktiviteti i “Angara”-s nuk kufizohej vetëm në furnizimin e ushtrisë ruse. Sipas burimeve ushtarake, anija përdorej edhe për transportin e armëve dhe pajisjeve drejt forcave ruse në Afrikë, përfshirë strukturën “Africa Corps”, e cila pasoi grupin mercenar Wagner.
Anija është përfshirë në listat e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, së bashku me kompaninë ruse M Leasing LLC, që konsiderohet pronare e saj. Megjithatë, ajo ka vijuar lëvizjet në Mesdhe dhe ka ndaluar edhe në portin e Oranit në Algjeri.
Sipas raportimeve të mediave italiane, “Angara” ishte pjesë e dy korridoreve të rëndësishme të transportit ushtarak rus. I pari, i njohur si “Syrian Express”, lidh portin e Kaliningradit me Tartusin në Siri, ndërsa i dyti, “Libyan Express”, përfshin ndalesa në portin e Bengazit.
Burime ushtarake bëjnë të ditur se armët dhe pajisjet e transportuara nga kjo anije kishin si destinacion Libinë, Malin, Burkina Fason dhe Republikën e Afrikës Qendrore.
Ndërkohë, një tjetër zhvillim shqetësues është raportuar në brigjet e Tunizisë, ku një konvoj me anijet tregtare ruse “Lady D”, “Lady R” dhe “Maia-1” është ndalur në ujërat përballë Hammametit. Anijet shoqërohen nga korveta ruse “Admiral Golovko” dhe, sipas raportimit, prej 19 nëntorit kanë lëvizur me shpejtësi shumë të ulët.
Në këtë histori përfshihet edhe korveta ruse “Merkury”, një prej anijeve më të reja luftarake të flotës ruse. Ajo ishte pjesë e Flotës së Detit të Zi, por për shkak të rrezikut të sulmeve ukrainase ishte zhvendosur drejt Mesdheut ose zonave të tjera ku Rusia ka baza ushtarake.
Sipas raportimeve, “Merkury” shoqëronte anijet tregtare që transportonin armë dhe municione, përfshirë edhe “Angara”. Burime të cituara nga media italiane pretendojnë se edhe vetë korveta transportonte armë, municione dhe dronë.
Anija ishte e pajisur me raketa kundër anijeve Kh-35 Uran dhe sistemin kundërajror Redut. Ajo hyri në shërbim në vitin 2023, ndërsa në ceremoninë përkatëse mori pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin, i cili e cilësoi atë si simbol të fuqisë detare të Rusisë.
Sipas të dhënave të publikuara, ndërtimi i “Merkury”-t i kushtoi Moskës rreth 283 milionë dollarë. Ndërsa fundosja e saj, sipas raportimeve, u shkaktua nga një dron detar me vlerë rreth 200 mijë dollarë.
Ngjarjet në Mesdhe kanë ngritur pikëpyetje për sigurinë e transportit detar dhe për praninë e rrjeteve ruse të furnizimit me armë në rajon. Përmes imazheve satelitore dhe analizave të lëvizjeve të anijeve, këto aktivitete po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u mbajtur të fshehta, ndërsa zhvillimet mund të kenë pasoja edhe për sigurinë e vendeve të Mesdheut, përfshirë Italinë./ET
