Shenjat paralajmëruese të një infarkti ose goditjeje në tru mund të shfaqen deri në 30 vite përpara se të ndodhë problemi kardiovaskular. Ky është përfundimi i një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore JAMA Network Open.
Studiuesit nga Universiteti i Edinburgut ndoqën gjendjen shëndetësore të afro 114 mijë personave për një periudhë prej 30 vitesh, duke nisur nga vitet 1980. Në fillim të studimit, asnjë prej tyre nuk kishte sëmundje të zemrës, por me kalimin e kohës, rreth 17 mijë pjesëmarrës pësuan infarkt, goditje në tru ose humbën jetën për shkak të problemeve kardiovaskulare.
Sipas rezultateve, te personat që zhvilluan probleme me zemrën, disa faktorë rreziku ishin të pranishëm shumë vite përpara shfaqjes së sëmundjes.
Një prej treguesve kryesorë ishte tensioni sistolik i gjakut, pra presioni që ushtrohet në arterie kur zemra pompon gjakun. Ky tregues rezultoi vazhdimisht më i lartë te personat që më vonë zhvilluan probleme kardiovaskulare.
Ndryshime u vunë re edhe në biomarkerët e gjakut, veçanërisht te NT-proBNP, një fragment proteine që përdoret për vlerësimin e problemeve të zemrës. Këto ndryshime mund të dalloheshin deri në 10 vite përpara.
Faktorë të tjerë që u identifikuan si sinjale të hershme ishin funksioni i veshkave, niveli i aktivitetit fizik, diabeti dhe indeksi më i lartë i masës trupore.
Studiuesit theksojnë se këta faktorë janë të njohur edhe më parë si rreziqe për sëmundjet kardiovaskulare, por studimi tregon se si ndryshimet në shëndet mund të zhvillohen gradualisht gjatë dekadave.
Sipas Bryan Williams, drejtues shkencor dhe mjekësor i British Heart Foundation, e cila financoi studimin, identifikimi i hershëm i këtyre shenjave mund t’u japë njerëzve mundësinë të ndryshojnë stilin e jetesës ose të nisin trajtimin përpara se të shfaqen komplikacionet.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar nëse këta faktorë ndryshojnë mes grupeve të ndryshme etnike.
Gjetjet sugjerojnë se kontrollet e rregullta të tensionit të gjakut dhe analizat mund të ndihmojnë në identifikimin e personave me rrezik të shtuar, shumë kohë përpara një infarkti ose goditjeje në tru./ad
