Last Updated on 24/11/2026 by EL
Lumi Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, është vendosur në qendër të një reportazhi të National Geographic, realizuar nga eksploruesi dhe fotografi Nick St. Oegger, i cili ka udhëtuar përgjatë rrjedhës së tij deri në derdhjen në Adriatik.
“Herën e parë që pashë Vjosën, nuk e dija që po shikoja një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës”, tregon St. Oegger në nisje të reportazhit.
Udhëtimi ndjek Vjosën përgjatë më shumë se 250 kilometrave, nga zonat malore dhe grykat e jugut të Shqipërisë deri në deltën e saj pranë Lagunës së Nartës. National Geographic e përshkruan lumin si një ekosistem që vazhdon të rrjedhë i lirë, pa diga, duke ndryshuar vazhdimisht peizazhin dhe jetën e komuniteteve që janë zhvilluar përgjatë tij.
“Të ndjekësh Vjosën nëpër Shqipëri të afron me diçka të rrallë, një lumë që ende rrjedh sipas kushteve të veta. Një lumë i egër, i lirë nga digat, që vazhdimisht riformëson tokën dhe njerëzit përreth tij”, shprehet eksploruesi.
Një nga ndalesat e reportazhit është Përmeti, ku lumi ngushtohet dhe përshpejton rrjedhën. Atje St. Oegger takohet me sipërmarrës vendas që kanë ngritur aktivitetin e tyre të rafting-ut mbi karakterin e paparashikueshëm të Vjosës.
“Nuk mund ta kontrollosh Vjosën. Duhet të lexosh rrjedhën dhe të përshtatesh me natyrën e saj të lirë”, thuhet në reportazh.
Për National Geographic, udhëtimi përgjatë lumit nuk lidhet vetëm me natyrën. Reportazhi ndalet edhe te traditat dhe mjeshtëritë e trashëguara ndër breza në komunitetet e zonës, nga punimi tradicional i drurit deri te qëndisjet e bëra me dorë, duke treguar marrëdhënien mes peizazhit dhe mënyrës së jetesës së banorëve.
Në pjesën e fundit të udhëtimit, Vjosa mbërrin në Lagunën e Nartës dhe deltën e saj, ku peizazhi malor ia lë vendin ligatinave dhe ujërave të qeta pranë Adriatikut.
Atje, eksploruesi takohet me një ekolog vendas, i cili shpjegon rolin e lumit në formimin e zonës përmes sedimenteve që transporton drejt bregdetit.
“Pjesa më e veçantë janë zogjtë. Numërojmë këtu më shumë se 200 specie zogjsh. Kur njerëzit vinin këtu, mund të shihnin mijëra flamingo që fluturonin mbi kokat e tyre”, tregon ai.
St. Oegger e përmbyll udhëtimin duke reflektuar mbi ndryshimet e vazhdueshme të Vjosës, nga lumi malor te grykat, fushat dhe lagunat e bregdetit.
“Kur fillova udhëtimin tim, po ndiqja rrjedhën e një lumi malor. Që atëherë e kam parë të marrë shumë forma, duke kaluar përmes grykave të ashpra, fushave të sheshta dhe ligatinave të mëdha”, shprehet ai.
“Kur del nga makina, peizazhi merr kontrollin, duke të kujtuar menjëherë se çfarë do të thotë me të vërtetë ‘e egër’.”
Reportazhi i National Geographic e paraqet Vjosën jo vetëm si një pasuri natyrore të Shqipërisë, por edhe si një burim që ka formësuar ekonominë lokale, traditat dhe jetën e komuniteteve përgjatë rrjedhës së saj./ET
