Monoksidi i karbonit është një gaz shumë i rrezikshëm, i cili nuk mund të shihet dhe as të nuhatet, ndërsa shenjat e para të helmimit shpesh ngatërrohen me gripin ose lodhjen.
Rreziku nga ky gaz rritet veçanërisht gjatë sezonit të ngrohjes, në shtëpitë ku përdoren soba me dru, qymyr, bojlerë me gaz apo ngrohëse të tjera.
Rastet e fundit të raportuara në Evropë kanë rikthyer vëmendjen te rreziku që paraqet ky gaz.
Në Bavari, një ngrohëse e re shkaktoi helmimin e 56 personave gjatë një meshe të së dielës, ndërsa në Itali një burrë nga Bosnja dhe Hercegovina humbi jetën si pasojë e helmimit me monoksid karboni, kurse bashkëshortja e tij përfundoi në spital.
Ky gaz krijohet kur lëndët djegëse, si druri, qymyri, gazi apo nafta, nuk digjen plotësisht.
Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), çdo vit në SHBA më shumë se 400 persona humbin jetën nga helmimi i paqëllimshëm me këtë gaz, ndërsa mbi 100 mijë të tjerë kërkojnë ndihmë në urgjencë.
Simptomat që ngatërrohen lehtë me gripin
Shenjat më të zakonshme të helmimit përfshijnë dhimbjen e kokës, marramendjen, dobësinë, të përzierat, të vjellat, dhimbjen në gjoks dhe konfuzionin.
Mund të shfaqen gjithashtu lodhje, dhimbje muskujsh, vështirësi në frymëmarrje, skuqje e fytyrës dhe probleme me shikimin.
Një shenjë veçanërisht e rëndësishme është përkeqësimi i simptomave gjatë qëndrimit në një dhomë ose ndërtesë dhe përmirësimi i tyre pasi dilni jashtë.
Nëse dhimbja e kokës shfaqet sa herë që jeni në shtëpi dhe largohet kur dilni për shëtitje ose shkoni në punë, shkaku mund të jetë ndonjë pajisje ngrohëse.
Në përqendrime të larta, monoksidi i karbonit mund të shkaktojë humbje të vetëdijes dhe vdekje.
Personat që flenë ose janë nën ndikimin e alkoolit janë veçanërisht të rrezikuar, pasi mund të mos i vërejnë fare simptomat.
Kush është më i rrezikuar?
Edhe pse helmimi mund t’i prekë të gjithë, foshnjat, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike të zemrës, anemi apo probleme me frymëmarrjen konsiderohen ndër grupet më të rrezikuara.
Çfarë duhet të bëni nëse dyshoni për helmim?
Nëse dyshoni se në ambientin ku ndodheni ka monoksid karboni, duhet të dilni menjëherë në ajër të pastër dhe të kërkoni ndihmë mjekësore.
Nëse është e mundur pa rrezikuar veten, fikni pajisjen që dyshoni se po e lëshon gazin.
Mos u ktheni në ambientin e dyshimtë derisa specialistët të konfirmojnë se është i sigurt.
Në rast se dikush ka vështirësi në frymëmarrje, konfuzion të papritur, humbje të vetëdijes apo dhimbje në gjoks, duhet të thirret menjëherë urgjenca.
Si të mbroheni nga monoksidi i karbonit?
Për të parandaluar helmimin, rekomandohet instalimi i detektorëve të monoksidit të karbonit pranë dhomave të gjumit dhe në hapësirat ku përdoren soba apo bojlerë.
Po ashtu, duhet të kontrollohen rregullisht bateritë dhe pajisjet të zëvendësohen sipas udhëzimeve të prodhuesit.
Soba, bojlerët dhe pajisjet me gaz duhet të servisohen të paktën një herë në vit, ndërsa oxhaqet duhet të pastrohen dhe kontrollohen rregullisht.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu që skarat me qymyr dhe pajisjet e kampingut të mos përdoren asnjëherë brenda ambienteve të mbyllura.
Po ashtu, shtëpia nuk duhet të ngrohet me furrë gazi dhe automobili nuk duhet të lihet i ndezur në garazh.
Gjeneratorët duhet të përdoren vetëm jashtë shtëpisë, në distancë prej të paktën gjashtë metrash nga dyert dhe dritaret, pasi edhe kur ato janë të hapura, gazi mund të depërtojë brenda dhe të shkaktojë helmim. /et

