76 eurodeputetë i kanë kërkuar Komisionit Evropian të vlerësojë situatën e të drejtave të njeriut në Ruandë, përpara se të konkretizohen planet e pesë vendeve të BE-së për kthimin e emigrantëve të parregullt në këtë shtet, duke filluar nga viti 2027.
Në një letër të dërguar të martën drejtueses së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionerit për Migracionin, Magnus Brunner, eurodeputetët kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e kësaj nisme. Sipas tyre, Ruanda mund të mos përmbushë standardet e të drejtave të njeriut që kërkon legjislacioni evropian për ngritjen e qendrave të kthimit jashtë territorit të Bashkimit Evropian.
Nisma është ndërmarrë nga Austria, Gjermania, Greqia, Holanda dhe Danimarka. Nënshkruesit e letrës, kryesisht nga grupet politike të qendrës së majtë dhe të majta, shprehin shqetësimin se Ruanda nuk garanton kushtet e nevojshme për të pritur emigrantët, veçanërisht sa i përket respektimit të të drejtave themelore dhe ligjit ndërkombëtar.
Në letër theksohet se qeveria e presidentit Paul Kagame është kritikuar për presion ndaj disidentëve dhe opozitës politike, përgjime, ndalime dhe forma të represionit përtej kufijve të vendit. Eurodeputetët ngrenë gjithashtu shqetësime për përfshirjen e Ruandës në konfliktin në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, i cili, sipas tyre, ka sjellë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe zhvendosjen e miliona personave.
Parlamenti Evropian ka mbajtur edhe më parë një qëndrim kritik ndaj Ruandës. Në shkurt të vitit 2025, ai kërkoi pezullimin e një memorandumi mirëkuptimi mes BE-së dhe Ruandës për lëndët e para kritike, duke iu referuar akuzave për krime lufte dhe pushtimin e territorit kongolez nga forcat e mbrojtjes së Ruandës.
Sipas legjislacionit të BE-së, Komisioni Evropian mund të nisë një vlerësim të situatës së të drejtave të njeriut në Ruandë, por nuk ka kompetencë formale për të miratuar apo refuzuar planin e pesë shteteve.
Kthimet e emigrantëve pritet të nisin në vitin 2027, por marrëveshjet mund të përballen me sfida ligjore përpara gjykatave evropiane.
