Last Updated on 24/11/2026 by Monika
Politologu Ermal Hasimja ka rrëfyer incidentin e ndalimit të tij në aeroportin e Rinasit.
Hasimja, në një intervistë për Sonila Meçon në “Syri TV”, tregoi ndalimin e pazakontë në pikën kufitare, pasi në sistemin verifikues ishte shfaqur një ‘red flag’ për të.
Politologu rrëfeu se punonjësit e policisë brenda aeroportit e kishin shoqëruar, pas problematikës, te shefi, për të diskutuar në lidhje me dyshimin se bëhej fjalë për ndonjë person tjetër dhe se ndonjë ngatërresë mund të kishte ndodhur.
Më pas, sipas Hasimjes, iu deklarua se sinjalizimi për të mund të ishte i lidhur drejtpërdrejt me pjesëmarrjen aktive nëpër protesta.
Hasimja shtoi se nuk ka pasur kurrë probleme me Policinë e Shtetit. Shqetësimi i tij kryesor përbën aktiviteti i tij në protestë, që nuk është asgjë për t’u fshehur, pasi, sipas politologut, është një fakt publik.
Ermal Hasimja ngre çështjen se ky rast mund të përsëritet sërish për ndonjë figurë tjetër publike të përfshirë në protesta, si dhe për qytetarët e thjeshtë, të cilëve mund t’u bllokohen udhëtimet.
Mesa duket, kur Rama e theksoi se do të bllokonte udhëtimet e njerëzve, e paska pasur seriozisht dhe këtë e precipiton rasti “Hasimja”.
Ndalimi i Hasimjes përbën një dëshmi se si liria e qytetarëve mund të tjetërsohet dhe një e drejtë themelore si liria e lëvizjes mund të kufizohet vetëm me pretekstin se ishe pjesëmarrës në protestë.
“Ajo ndaloi në atë moment për të parë në kompjuter diçka, të cilën unë s’kam se si ta di, por pa diçka dhe më tha: ‘Ka diçka në sistem për ju, që duhet ta verifikojmë’.
Dhe më shoqëroi te shefi. Të dy ishin shumë të sjellshëm, edhe punonjësja, edhe shefi.
Shkuam te zyra e shefit dhe ai u duk pak në siklet, pasi më njohu.
Më tha që mund të jetë dikush me emër të ngjashëm, por sistemi është shumë i saktë. Pastaj më tha se mund të jetë sepse keni pasur ndonjë masë për shkak të pjesëmarrjes në protesta.
Jo, absolutisht jo.
S’kam pasur asnjë lloj komunikimi apo problemi me Policinë.
Kam qenë vazhdimisht në protestë, ky është fakt publik dhe mendoj se shënimi është për këtë arsye.
Ajo që më shqetëson është se pse i shënohet dikujt në sistem pjesëmarrja në protestë.
Kjo mund të shërbejë si një arsye për ta penguar apo verifikuar dikë.”, tha Hasimja./mxh
