I dënuar me 24 vite burg për vrasje, Shqipëria tërhiqet nga ekstradimi i shqiptarit që u fsheh për 27 vite në Britani!
Një shqiptar i dënuar me 24 vite burg për vrasje në Shqipëri mund të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar, pasi autoritetet shqiptare kanë tërhequr kërkesën për ekstradimin e tij. Shkak është bërë një vendim i fundit i Gjykatës së Dibrës, e cila ka konstatuar se ka kaluar afati ligjor për ekzekutimin e dënimit të dhënë ndaj tij.
Bëhet fjalë për 60-vjeçarin Sabri Sopoti, i cili për 27 vite arriti t’i shmangej drejtësisë shqiptare, duke jetuar në Britani me një identitet tjetër. Sipas raportimeve të mediave britanike, ai kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar duke u paraqitur si refugjat nga Kosova dhe kishte përfituar azil me emrin Zenel Bytyqi.
Sopoti akuzohet se më 24 dhjetor 1999 vrau një person me armë automatike të tipit “Scorpion” në një lokal në veri të Shqipërisë. Ngjarja, sipas dosjes së paraqitur në gjykatën britanike, lidhej me një konflikt mes familjeve. Pas krimit, ai u largua nga vendi dhe nuk u arrestua në atë kohë.
Në Shqipëri, ai u gjykua në mungesë, ndërsa u përfaqësua nga një avokat i caktuar nga gjykata. Në përfundim të procesit, u shpall fajtor për vrasje me paramendim dhe një vepër penale që lidhej me armëmbajtjen pa leje. Për vrasjen u dënua me 23 vite burg, ndërsa për veprën tjetër me një vit burg, dënime që do të vuheshin njëri pas tjetrit, duke e çuar masën totale në 24 vite.
Identiteti i tij i vërtetë në Britani u zbulua vetëm pasi ndaj tij nisi një procedim penal për një tjetër çështje, që lidhej me kontrabandën e pijeve alkoolike dhe shmangien e detyrimeve doganore. Ai u arrestua në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2026, pas bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre britanike. Në korrik, çështja e tij ishte në procedurë ekstradimi, ndërsa seanca e plotë gjyqësore ishte planifikuar të zhvillohej muajin pasues.
Megjithatë, më 20 nëntor, Gjykata e Magjistratëve në Westminster u njoftua se Shqipëria kishte tërhequr urdhërarrestin ndërkombëtar dhe kërkesën për ekstradimin e tij. Vendimi u mor në bazë të nenit 122 të Ligjit britanik për Ekstradimin të vitit 2003, pas një kërkese zyrtare të autoriteteve shqiptare.
Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatën britanike, vendimi i tërheqjes së kërkesës lidhej me një vendimmarrje të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, më 4 nëntor 2026. Gjykata shqiptare kishte konstatuar se dënimi ndaj Sopotit ishte parashkruar dhe nuk mund të ekzekutohej më, për shkak të kalimit të afatit ligjor.
Sipas shpjegimit të paraqitur në raportimet britanike, legjislacioni shqiptar parashikon afate parashkrimi për ekzekutimin e dënimeve. Për dënimet me burgim mbi 15 vite, afati për ekzekutimin e tyre është 20 vite nga momenti kur vendimi bëhet përfundimtar. Meqë ky afat konsiderohej i përfunduar, autoritetet shqiptare vendosën të tërhiqnin kërkesën për ekstradim.
Pas këtij njoftimi, Gjykata e Westminsterit nuk kishte më bazë për të vijuar procedurën dhe urdhëroi pushimin automatik të çështjes së ekstradimit. Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS), i cili përfaqësonte autoritetet shqiptare në proces, deklaroi se nuk kishte asnjë të dhënë që Shqipëria do ta apelonte vendimin e gjykatës.
Gjatë një seance të mëparshme, prokurori që përfaqësonte palën shqiptare kishte paraqitur edhe detaje nga dosja e vrasjes. Sipas tij, më 24 dhjetor 1999, Sopoti ishte larguar nga banesa i armatosur, në kërkim të viktimës. Pasi e kishte gjetur në një lokal, kishte qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë që çuan në vdekjen e tij. Më pas ishte larguar nga vendngjarja dhe kishte lënë Shqipërinë.
Gjatë hetimeve në vend, bashkëshortja e tij kishte treguar se Sopoti ishte shqetësuar dukshëm pas një telefonate. Sipas dëshmisë së saj, ai ishte larguar nga banesa duke marrë me vete një armë automatike të tipit “Scorpion” dhe një pistoletë.
Telefonata dyshohet se kishte lidhje me konfliktin që çoi në vrasje. Gjatë procesit, prokuroria kishte paraqitur pretendimin se dikush e kishte nxitur Sopotit t’i jepte fund përplasjes me personin që, sipas bisedës, po luante me të dhe familjen e tij.
Pavarësisht mbylljes së procedurave të ekstradimit, 60-vjeçari nuk është liruar nga burgu në Britani. Ai po vuan një dënim të veçantë prej 37 muajsh burg, të dhënë më 23 mars 2026 nga Gjykata e Southwark, për përfshirje në një skemë të shmangies së paligjshme të detyrimeve doganore përmes kontrabandës së pijeve alkoolike.
Sipas raportimeve britanike, data më e hershme kur ai mund të lirohet nga burgu është shkurti i vitit 2027. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse pas përfundimit të këtij dënimi ai do të lejohet të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar apo do të përballet me masa të tjera nga autoritetet e emigracionit.
Çështja e statusit të tij të qëndrimit mbetet ende e hapur, ndërsa Ministrisë së Brendshme britanike (Home Office) i është kërkuar një koment lidhur me të ardhmen e Sopotit në vend.
