Kremlini refuzoi të komentojë sot vlerësimet, sipas të cilave më shumë se 700 mijë ushtarë rusë mund të jenë vrarë në luftën në Ukrainë, që prej nisjes së pushtimit në shkurt 2022.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi se vetëm Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka të drejtë të publikojë zyrtarisht të dhëna për humbjet ushtarake.
Ai u bëri thirrje mediave që të mos u kushtojnë vëmendje shifrave të tjera.
Vlerësimet bazohen në të dhëna të vjedhura nga agjencia shtetërore ruse e statistikave, “Rosstat”.
Në fillim të nëntorit, dy grupe hakerash, bjellorusët e “Cyber Partisans” dhe grupi pro ukrainas “Silent Crow”, njoftuan se kishin depërtuar në sistemet e agjencisë dhe kishin siguruar akses në regjistrin civil të vdekjeve në Rusi.
Sipas të dhënave të publikuara prej tyre, nga shkurti 2022 deri në fund të gushtit 2026, në luftime kanë humbur jetën nga 394 mijë deri në 450 mijë shtetas rusë.
Mediat e pavarura “Mediazona” dhe “Meduza” verifikuan të dhënat duke i krahasuar me regjistra të tjerë.
Sipas përllogaritjeve të tyre, duke përfshirë edhe ushtarët e shpallur të zhdukur dhe që dyshohet se kanë vdekur, numri i ushtarëve rusë të vrarë mund të ketë kaluar 700 mijë deri në fund të shtatorit 2026.
Moska nuk publikon të dhëna të përditësuara për humbjet e saj në Ukrainë.
Në shtator 2022, autoritetet ruse kishin pranuar vetëm rreth 6 000 ushtarë të vrarë gjatë gjashtë muajve të parë të luftës, shifër që analistët e konsiderojnë shumë më të ulët se realiteti.
Për të plotësuar radhët e ushtrisë, Rusia mobilizoi mbi 300 mijë rezervistë në shtator 2022 dhe vijon rekrutimin e ushtarëve, duke ofruar paga shumë të larta, veçanërisht për banorët e rajoneve më të varfra.
Gjithashtu, Moska ka rekrutuar dhjetëra mijëra të burgosur dhe mijëra luftëtarë nga vende të tjera, ndërsa është akuzuar për mashtrim gjatë rekrutimit të këtyre të fundit.
Edhe Koreja e Veriut dërgoi dhjetëra mijëra ushtarë për të mbështetur forcat ruse gjatë operacionit ukrainas në rajonin rus të Kurskut, nga fundi i vitit 2024 deri në fillim të vitit 2025.
Hakerat theksuan se të dhënat e rrjedhura nga “Rosstat” nuk përfshijnë ushtarët e plagosur, të zhdukur apo luftëtarët e huaj.
Ndërkohë, edhe Ukraina ka pësuar humbje të konsiderueshme në front.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi në korrik se rreth 50 mijë ushtarë ukrainas kishin humbur jetën, një shifër që gjithashtu konsiderohet e nënvlerësuar.
Në fillim të korrikut, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) vlerësoi se numri i ushtarëve ukrainas të vrarë ishte nga 125 mijë deri në 150 mijë.
Për palën ruse, i njëjti institut vlerësoi në atë kohë se humbjet arrinin në 400 mijë deri në 450 mijë ushtarë të vrarë, shifër që përputhet me vlerësimet e bazuara në të dhënat e rrjedhura nga “Rosstat”./mxh
