Kancelari gjerman Friedrich premtoi masa më të forta për parandalimin e vrasjeve të grave dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, ndërsa Bundestagu mbajti sot një minutë heshtje në nderim të grave dhe vajzave që kanë humbur jetën nga dhuna.
“Dua t’ju siguroj se qeveria jonë do të bëjë gjithçka për të mbrojtur më mirë gratë, vajzat dhe fëmijët në shoqërinë tonë”, deklaroi Merz në parlament, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
“Janë paraqitur tashmë propozimet e para ligjore për forcimin e mbrojtjes”, bëri të ditur Merz.
Presidentja e Bundestagut, Julia Klockner, theksoi se Gjermania duhet të marrë shembull nga përvoja e vendeve të tjera, duke përmendur Spanjën, e cila prej rreth 20 vitesh zbaton programe parandaluese në shkolla dhe monitorim të vazhdueshëm të autorëve të dhunës.
“Nuk janë viktimat e dhunës ato që duhet të ndihen të turpëruara. Turp duhet të ndiejnë autorët”, deklaroi Klockner.
Sipas të dhënave më të fundit të Zyrës Federale të Policisë Kriminale, të publikuara një ditë më parë, dhuna ndaj grave në Gjermani është rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Mesatarisht, policia gjermane regjistron vrasjen e një gruaje çdo tri ditë dhe një sulm fizik ndaj një gruaje nga partneri ose ish-partneri çdo gjashtë minuta.
Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave shënohet çdo vit më 25 nëntor.
Kjo datë u zgjodh në kujtim të tri motrave Mirabal, aktiviste politike nga Republika Dominikane, të cilat u vranë në vitin 1960 me urdhër të diktatorit të atëhershëm Rafael Trujillo./mxh
