Sadie Sandler, vajza e madhe e aktorit të njohur amerikan Adam Sandler, do të provojë për herë të parë veten në zhanrin horror. Ajo do të jetë protagoniste në filmin e ri të Netflix, të titulluar “Malibu”, duke shënuar një tjetër hap në karrierën e saj artistike.
Sipas raportimit të “The Hollywood Reporter”, filmi do të drejtohet nga Todd Williams, i njohur për punën e tij në “Paranormal Activity 2”. Skenari është shkruar nga vetë Williams në bashkëpunim me Tom Pabst.
Në realizimin e projektit do të përfshihen kompania Happy Madison e Adam Sandler, Room 101 e Steven Schneider dhe Vertigo Entertainment e Roy Lee.
Historia e filmit përqendrohet te një aktore në ngritje, e cila pranon të kujdeset për qentë në vilën luksoze të një ylli të vetmuar të kinematografisë në Malibu. Por, shumë shpejt, ajo zbulon se shtëpia është krejt ndryshe nga sa e kishte imagjinuar.
Xhirimet e filmit pritet të nisin në fillim të vitit 2027.
Përveç projektit “Roommates”, Sadie Sandler ka marrë pjesë edhe në disa prodhime të tjera të Netflix, mes tyre “Nobody Wants This”, “Happy Gilmore 2”, “Jay Kelly” dhe “You Are So Not Invited to My Bat Mitzvah”.
Ndërkohë, producenti Roy Lee, i cili në vitin 2025 u vlerësua nga “The Hollywood Reporter” me titullin Producenti i Vitit, ka qenë i përfshirë në projekte të njohura të zhanrit horror. Në portofolin e tij përfshihen prodhime si “Crystal Lake” dhe “It: Welcome to Derry”, si dhe filmat “Resident Evil”, “Obsession” dhe “Weapons”./mxh
