Last Updated on 25/11/2026 by EL
Komisioni Europian propozon që Mali i Zi të jetë nën mbikëqyrje edhe pas anëtarësimit në Bashkimin Europian, përmes një mekanizmi të ri që synon të parandalojë kthimin pas në reformat dhe zbatimin e standardeve europiane. Propozimi parashikon gjithashtu një periudhë monitorimi 10-vjeçare, me mundësi zgjatjeje edhe për pesë vite të tjera.
Mali i Zi, vendi që ka bërë përparimin më të madh në procesin e integrimit europian mes vendeve kandidate, po shërben si një rast prove për vendosjen e mekanizmave më të fortë mbrojtës. Synimi është të shmangen situata të ngjashme me atë të Hungarisë së Viktor Orbánit, qeveria e së cilës është përplasur vazhdimisht me Brukselin për çështjet që lidhen me shtetin e së drejtës.
Propozimi vjen pasi vendet anëtare mbështetën në parim mekanizmat e rinj mbrojtës të hartuar nga presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së, duke hapur rrugën për nisjen e punës mbi traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi.
Në projekttekstin e paraqitur nga Komisioni Europian, i njohur si Kapitulli 35, është përfshirë edhe një mekanizëm monitorimi pas anëtarësimit. Sipas tij, Komisioni do të verifikojë nëse Mali i Zi vijon të përmbushë angazhimet e marra gjatë negociatave, duke raportuar rregullisht në Parlamentin Europian dhe në Këshillin e BE-së.
Në rast se konstatohen shkelje ose hapa pas në reforma, Komisioni mund të propozojë masa korrigjuese. Në fazën përpara anëtarësimit, si masë e fundit, parashikohet edhe mundësia e shtyrjes së hyrjes së vendit në Bashkimin Europian.
Ideja për ta shtrirë mbikëqyrjen edhe pas anëtarësimit është mbështetur nga vende si Gjermania, Franca dhe Holanda. Megjithatë, disa shtete të tjera, veçanërisht ato pjesë e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, kanë ngritur pikëpyetje mbi domosdoshmërinë e një mekanizmi të tillë, duke argumentuar se vendet anëtare tashmë i nënshtrohen instrumenteve të kontrollit përmes raporteve mbi shtetin e së drejtës dhe procedurave për shkelje të legjislacionit europian.
Një tjetër pikë e debatit lidhet me periudhën e provës pas anëtarësimit. Komisioni konfirmon propozimin për ta ulur atë nga 15 në 10 vjet, me mundësi zgjatjeje edhe për pesë vite të tjera. Gjatë kësaj periudhe, shkeljet e vlerave dhe rregullave të BE-së do të trajtoheshin përmes mekanizmave të posaçëm, deri në pezullimin e të drejtës së votës për shkeljet më të rënda.
Përplasjet mes vendeve anëtare lidhen edhe me mënyrën se si do të aktivizohen këto masa. Komisioni kërkon të rikthejë modelin e shumicës së cilësuar të kundërt, sipas të cilit një masë e propozuar nga Komisioni hyn në fuqi nëse shumica e cilësuar e vendeve anëtare nuk voton kundër saj. Irlanda kishte propozuar një kompromis tjetër, ku aktivizimi i mekanizmit do të kërkonte miratimin e shumicës së cilësuar të shteteve.
Diskutimet tashmë do të vijojnë nën drejtimin e presidencës irlandeze, e cila do të përpiqet të gjejë një kompromis për Kapitullin 35 dhe për kushtet e anëtarësimit të Malit të Zi.
Një diplomat europian, në kushte anonimiteti, i tha Euronews se propozimi i Komisionit nuk e ka lehtësuar diskutimin dhe ekziston rreziku që vendet anëtare të ndahen në qëndrime të kundërta. Megjithatë, sipas tij, procesi i hartimit të traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi duhet të vijojë.
