Bebe Rexha ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj ndërkombëtare, duke u vlerësuar me çmimin “Global Hitmaker Award” në ceremoninë “Billboard Canada Women in Music 2026”. Përveç arritjeve muzikore, këngëtarja shqiptaro-amerikane tërhoqi vëmendjen edhe me fjalimin e saj, ku ndau histori personale nga fëmijëria dhe foli hapur për rrënjët shqiptare.
Çmimi iu dha në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj në industrinë muzikore dhe suksesin e këngëve që kanë pushtuar tregjet ndërkombëtare. Me këtë rast, Billboard Canada rikujtoi edhe ëndrrën që artistja kishte që në fëmijëri: të shihte një ditë emrin e saj në listat prestigjioze të muzikës.
Në fjalimin e mbajtur gjatë ceremonisë, Bebe tregoi se si shoqëronte nënën e saj në dyqan dhe kërkonte me padurim revistën Billboard, për të parë renditjen e këngëve më të dëgjuara në SHBA.
Ajo kujtoi se, teksa shfletonte listën “Hot 100”, imagjinonte se një ditë do të arrinte të shkruante një këngë që do të bëhej pjesë e saj. Edhe pse revista ishte e kushtueshme dhe nëna nuk ia blinte gjithmonë, ëndrra për muzikën nuk iu shua asnjëherë.
Një tjetër episod që ndau me publikun lidhej me shtëpinë e prindërve të saj në New York, ku kalonte orë të tëra duke shkruar këngë. Me humor, ajo përshkroi një zakon tipik të familjes shqiptare: mobiliet mbuloheshin me plastikë për të mos u dëmtuar.
“Ne jemi shqiptarë dhe nëna ime vendoste plastikë mbi mobiliet, sepse nuk donte që t’i ndotnim. Por unë aty shkruaja këngët e mia. Pikërisht aty përfundova duke shkruar një nga hitet e mia të para”, rrëfeu këngëtarja.
“Nuk doja të martohesha në moshë të re”
Momenti që shkaktoi më shumë të qeshura gjatë fjalimit ishte kur Bebe foli për pritshmëritë tradicionale në kulturën shqiptare dhe presionin që, sipas saj, mund të përjetojnë vajzat për martesën dhe krijimin e familjes në moshë të re.
Artistja tregoi se në traditat me të cilat ishte rritur, pritej që një vajzë të martohej herët dhe të bëhej nënë rreth moshës 24-25 vjeç.
“Dua të falënderoj kulturën time, sepse të qenit shqiptare është një pjesë shumë e madhe e asaj që jam. Nëse je shqiptar, e njeh mentalitetin tradicional: martesa në moshë të re, dikush vjen të kërkojë dorën tënde dhe duhet të bëhesh nënë në moshën 24 apo 25-vjeçare. Unë thashë: ‘Në asnjë mënyrë!’”, u shpreh ajo.
Bebe zbuloi gjithashtu se kishte pasur edhe një rast kur dikush kishte ardhur për t’ia kërkuar dorën, por nëna e saj kishte ndërhyrë duke shprehur bindjen se vajza kishte një të ardhme shumë më të madhe përpara.
Në moshën 19-vjeçare, këngëtarja mori vendimin të largohej drejt Los Angeles për t’iu përkushtuar plotësisht muzikës. Ndër projektet e para të rëndësishme në rrugëtimin e saj si autore këngësh ishte edhe “Lucifer”, e realizuar për grupin koreano-jugor SHINee.
Nga ëndrrat e fëmijërisë te bashkëpunimet me yjet botërore
Rrugëtimi i Bebe Rexhës e ka çuar ndër vite drejt bashkëpunimeve me disa prej emrave më të njohur të industrisë muzikore, mes tyre Eminem, Rihanna, Nicki Minaj, David Guetta dhe Selena Gomez.
Në përfundim të fjalimit, ajo iu drejtua simbolikisht vetes së saj së vogël, vajzës që ëndërronte të shihte emrin në revistat Billboard. Me një mesazh plot humor dhe emocion, tregoi se çfarë do t’i thoshte nëse do të kishte mundësinë të kthehej pas në kohë.
“Do të doja t’i thosha asaj vajze të vogël: Qetësohu, nuk është çështje jete a vdekjeje. Gjithçka do të rregullohet”, përfundoi ajo.
Çmimi i fundit shënon një tjetër arritje në karrierën e artistes, e cila ka arritur të ndërtojë një emër të rëndësishëm në muzikën botërore, pa fshehur asnjëherë krenarinë për origjinën dhe identitetin e saj shqiptar./mxh
