Cardi B ka siguruar një tjetër vlerësim të rëndësishëm në karrierën e saj, duke u bërë artistja e parë që merr çmimin “Global Woman of the Year 2026” nga Billboard Canada, në kuadër të ceremonisë “Women in Music”.
Reperja amerikane u nderua më 24 nëntor, gjatë një eventi të zhvilluar në Toronto, ku morën pjesë emra të njohur të muzikës dhe figura të rëndësishme të industrisë. Ky çmim vjen si vlerësim për ndikimin e saj përtej kufijve amerikanë dhe suksesin e vazhdueshëm në skenën muzikore ndërkombëtare.
Karriera e Cardi B është shoqëruar me një sërë rekordesh që e kanë vendosur atë mes artisteve më të suksesshme të hip-hop-it. Ajo është reperja e parë femër që ka arritur të kryesojë disa herë renditjen Billboard Hot 100 dhe artistja e parë solo femër që fitoi çmimin Grammy për albumin më të mirë rap.
Një tjetër rekord që e dallon është fakti se dy albumet e saj të para kanë debutuar në vendin e parë të klasifikimit Billboard 200, një arritje që nuk është përsëritur nga asnjë repere tjetër femër.
Viti 2026 ka qenë gjithashtu i rëndësishëm për artisten edhe në aspektin e performancave live. Turneu i saj i parë solo, “Little Miss Drama”, ka regjistruar interes të jashtëzakonshëm, me të gjitha biletat e arenave në Amerikën e Veriut të shitura. Mes ndalesave më të spikatura ishin koncertet në Vancouver, Toronto dhe Hamilton.
Në një intervistë për Billboard Canada, Cardi B pranoi se ky vlerësim ka një domethënie të veçantë për të, pasi nuk lidhet vetëm me suksesin në muzikë, por edhe me sfidat dhe arritjet e saj jashtë skenës.
“Ndihem sikur jam gruaja e vitit. Por kjo është shumë më tepër sesa muzikë. Ka të bëjë me gjithçka që kam bërë këtë vit. Të balancosh një karrierë dhe të rritësh katër fëmijë është vërtet shumë”, u shpreh ajo.
Kjo nuk është hera e parë që reperja merr një çmim të tillë nga Billboard. Në vitin 2020, ajo u shpall gjithashtu “Woman of the Year”, ndërsa vlerësimi i ri konfirmon edhe një herë peshën që ka emri i saj në industrinë muzikore./mxh
