Një zhvillim i ri vjen nga marrëdhënia e tensionuar brenda familjes Beckham. Victoria Beckham ka vendosur t’i kalojë djalit të saj të madh, Brooklyn Beckham, pronësinë e markës tregtare që mban emrin e tij, duke i dhënë atij të drejtën ta administrojë dhe ta përdorë atë në aktivitetet e tij tregtare.
Sipas raportimeve, ky ndryshim është bërë zyrtar më 17 nëntor, në një moment kur përçarja mes Brooklyn-it dhe pjesës tjetër të familjes vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes mediatike.
Marka ishte regjistruar fillimisht nga Victoria në vitin 2016, kur Brooklyn ishte ende i mitur. Në atë kohë, stilistja kishte siguruar të drejtat tregtare edhe për emrat e tre fëmijëve të tjerë, Romeo, Cruz dhe Harper, me synimin për të mbrojtur identitetin e tyre nga shfrytëzimi komercial pa autorizim.
Regjistrimi përfshinte kategori të ndryshme, nga veshjet dhe produktet kozmetike, te muzika, programet televizive dhe artikujt sportivë. Me afrimin e afatit për rinovimin e markës, Victoria ka paraqitur dokumentet përkatëse pranë autoriteteve britanike, duke ia kaluar të drejtat djalit të saj. Procedura të ngjashme raportohet se janë ndjekur edhe për Romeo dhe Cruz.
Përplasja që nisi përpara dasmës me Nicola Peltz
Ky zhvillim rikthen në vëmendje konfliktin e bërë publik nga Brooklyn në janar, kur ai ndau në Instagram një deklaratë të gjatë, ku foli hapur për marrëdhënien e vështirë me prindërit.
Në atë kohë, 27-vjeçari pretendoi se David dhe Victoria kishin vendosur interesat e imazhit dhe markës familjare mbi marrëdhëniet personale. Ai zbuloi gjithashtu se tensionet kishin nisur edhe përpara martesës së tij me aktoren Nicola Peltz, në vitin 2022.
Sipas versionit të Brooklyn-it, prindërit i kishin kërkuar të firmoste një marrëveshje për të hequr dorë nga të drejtat mbi emrin e tij, një vendim që, sipas tij, do të kishte pasoja edhe për bashkëshorten dhe fëmijët që mund të ketë në të ardhmen.
Ai pretendoi se kishte refuzuar të nënshkruante dokumentin dhe se ky qëndrim kishte sjellë pasoja në marrëdhëniet familjare, por edhe në interesat e tij financiare.
Që prej asaj kohe, Brooklyn dhe Nicola kanë ruajtur distancën nga familja Beckham, pavarësisht përpjekjeve të raportuara për të rikthyer komunikimin mes tyre.
Një kapitull i ri për planet e biznesit të Brooklyn-it
Përfitimi i kontrollit mbi markën tregtare mund t’i hapë Brooklyn-it mundësi të reja për të zhvilluar projekte personale dhe për ta shtrirë emrin e tij në sektorë të ndryshëm të biznesit.
Ai tashmë ka lançuar markën Cloud23, përmes së cilës shet salca pikante, ndërsa zotërimi i të drejtave mbi emrin e tij mund t’i japë më shumë liri për sipërmarrje të tjera.
Ndryshe nga fëmijët, emrat e David dhe Victoria Beckham janë të regjistruar si marka tregtare prej shumë vitesh. David e ndërmori këtë hap në vitin 2000, ndërsa Victoria në vitin 2002, në periudhën kur po zhvillonte karrierën e saj muzikore si artiste solo.
Pasuria e familjes Beckham vlerësohet në rreth 673 milionë dollarë, ndërsa ajo e Nelson Peltz, babait të Nicola-s, llogaritet në afërsisht 1.6 miliardë dollarë.
Vendimi i fundit i Victoria-s mund të interpretohet si një hap drejt zbutjes së tensioneve me të birin, por ende nuk ka shenja të qarta se kjo lëvizje do të sjellë një afrim mes tyre. Mbetet për t’u parë nëse çështja e emrit do të shënojë fillimin e një pajtimi të shumëpritur në familjen Beckham./mxh
