Last Updated on 25/11/2026 by Monika
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka reaguar për situatën e motit të rënduar që pritet sot e nesër në vend.
Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, AKMC-ja ka kërkuar nga prefektët dhe bashkitë masa të menjëhershme për përballimin e situatës së keqe të motit që pritet të kaplojë Shqipërinë.
Sipas parashikimeve të IGJEO-së ose Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së sotme priten reshje të dobëta në Shkodër e Kukës, ndërsa nesër, në qarqet e mësipërme, shtuar Vlorën dhe Gjirokastrën, do të ketë reshje intensive deri më datë 27 nëntor.
AKMC-ja ka ftuar bashkitë e prekura që të kontrollojnë sistemet e kullimit dhe përgatitjen e kapaciteteve operacionale.
Njoftimi i AKMC-së:
“Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së sotme, 25 nëntor, priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Për ditën e nesërme, 26 nëntor, parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa më 27 nëntor reshjet me intensitet të lartë pritet të vijojnë në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër.
Si pasojë e reshjeve, mund të ketë grumbullime të ujit dhe përmbytje të lokalizuara në disa zona urbane, ndërsa në zonat malore kërkohet vëmendje ndaj vërshimeve të përrenjve dhe rrëshqitjeve të mundshme të dherave.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga prefektët dhe bashkitë marrjen e masave parandaluese, kontrollin e sistemeve të kullimit, monitorimin e zonave me risk dhe mbajtjen në gatishmëri të kapaciteteve operacionale.
Ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e familjes dhe pronës, si dhe të ndjekin njoftimet zyrtare dhe udhëzimet e strukturave vendore.
#AKMC vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin me strukturat përgjegjëse, me prioritet sigurinë e qytetarëve.
Parandalimi, gatishmëria dhe bashkëpunimi janë çelësi për komunitete më të sigurta.”/Mxh
