Ukraina ka zgjeruar operacionet e saj kundër Rusisë mijëra kilometra larg frontit të luftës, duke goditur dy anije ruse në portin e Bengazit dhe në brigjet e Libisë lindore. Sulmi, i kryer të dielën, më 22 nëntor, shënon një tjetër përpjekje të Kievit për të goditur jo vetëm eksportet ruse të hidrokarbureve, por edhe rrjetin e furnizimit me armë të Moskës në Afrikë.
Sipas raportimeve, në shënjestër të operacionit të shërbimeve ukrainase të inteligjencës ishte korveta ruse *Merkury*, një anije luftarake moderne e ndërtuar në vitin 2023, e cila u fundos në portin e Bengazit pas sulmit me mjete detare pa pilot. Gjithashtu, u godit edhe anija mallrash *Angara*, pjesë e të ashtuquajturës flotë në hije të Rusisë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori përgjegjësinë për operacionin, duke e cilësuar atë si “shembullor”. Në një reagim në rrjetet sociale, ai theksoi se anija *Angara* përdorej nga Rusia për transportin e armëve.
Sipas inteligjencës ushtarake ukrainase, kjo anije, e cila është nën sanksionet amerikane, britanike dhe evropiane, kishte transportuar municione nga Koreja e Veriut drejt Rusisë, për t’u përdorur në luftën kundër Ukrainës.
Rëndësia e sulmit lidhet edhe me vendndodhjen e tij. Bengazi ndodhet në një zonë të Libisë lindore të kontrolluar nga gjenerali Khalifa Haftar, një prej aleatëve të rëndësishëm të Moskës në rajon.Analisti turk i trafikut detar, Yoruk Isik, e ka cilësuar operacionin si një goditje ndaj një prej pikave më të ndjeshme të ushtrisë ruse: zinxhirit të furnizimit.
Sipas tij, Bengazi përbën një bazë të rëndësishme për praninë ushtarake ruse në Afrikë.
Pas kufizimeve të vendosura nga Guinea për kalimin e misioneve ushtarake ruse në portin e Konakrit, Moska po kërkon rrugë alternative për furnizimin e rreth 2 mijë ushtarëve të saj në Mali. Ky vend është një nga teatrot kryesore të operacioneve të Korpusit Afrikan, strukturë e krijuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes në vitin 2023, pas tërheqjes së grupit Wagner nga roli që kishte në kontinent.
Prania ruse shtrihet edhe në Niger dhe Burkina Faso, ku Moska ka dislokuar njësi ushtarake.
Sipas raportimit të gazetës franceze *Le Monde*, Libia lindore është përdorur si një korridor për transportimin e pajisjeve ushtarake drejt vendeve afrikane.
Në korrik, një konvoj me automjete të blinduara dhe kamionë kaloi përmes portit të Lomés në Togo, ndërsa në shtator pajisje ushtarake ruse u dërguan drejt kryeqytetit të Malit, Bamako, nëpërmjet Libisë lindore.
Një tjetër anije mallrash ruse, *Anastasiia*, kishte shkarkuar dhjetëra automjete dhe pajisje ushtarake në portin e Tobrukut. Një pjesë e ngarkesës u transportua më pas me avionë ushtarakë nga baza ajrore libiane Al-Hadim drejt Malit.
Imazhet satelitore nga baza detare ruse e Baltiyskut, në Detin Baltik, kishin evidentuar gjithashtu automjete ushtarake që dyshohej se do të ngarkoheshin në katër anije të flotës në hije: Anastasiia, Ascalon, Lady-R dhe Lady-D.
Tri prej këtyre anijeve janë subjekt i sanksioneve amerikane dhe evropiane për shkak të rolit të tyre në transferimin e armëve.
Sipas të dhënave të raportuara, *Anastasiia* dhe *Ascalon* kishin lundruar nga Deti Baltik drejt Mesdheut, duke ndërprerë gjatë udhëtimit transmetimin e sinjaleve të lokalizimit. Ato u rishfaqën më pas në portin e Bengazit.
Pas mbërritjes së tyre, një avion transporti rus Ilyushin Il-76 u ul në Bengazi, pasi kishte ardhur nga Moska, dhe më pas u nis drejt Bamako-s. Këto lëvizje kanë ngritur dyshime për një tjetër transferim të pajisjeve ushtarake ruse drejt Malit përmes territorit libian.
Imazhet satelitore të marra të martën tregonin se Anastasiia dhe Ascalon ndodheshin ende në portin e Bengazit, pasi kishin pësuar dëme nga sulmi. E njëjta gjë raportohej edhe për *Angara*, e cila u godit, por nuk u fundos dhe u tërhoq në një zonë të sigurt.
Ndërkohë, në port janë shtuar masat mbrojtëse kundër sulmeve të mundshme nga mjete detare pa pilot. Korveta *Merkury*, nga ana tjetër, raportohet se është pothuajse tërësisht e zhytur në ujërat e Libisë.
Dy anijet e tjera, Lady-R dhe Lady-D, të cilat ishin nisur gjithashtu nga baza detare e Baltiyskut drejt Mesdheut, ndodheshin ende në zonën më të gjerë mesdhetare pas operacionit ukrainas.
Sulmi në Bengazi tregon se përplasja mes Kievit dhe Moskës po shtrihet edhe përtej territorit ukrainas, duke vënë në shënjestër rrugët detare dhe logjistikën që Rusia përdor për të mbështetur praninë e saj ushtarake në Afrikë./ad
