Me rastin e 26 Nëntorit, ditës së ngritjes së flamurit në Tiranë, në kryeqytet është zhvilluar një ceremoni përkujtimore në nder të patriotëve dhe figurave historike që kontribuuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë aktivitet, prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, mbajti një fjalim kushtuar kontributit të patriotëve tiranas dhe rëndësisë historike të kësaj date.
Hajdari e cilësoi 26 Nëntorin jo vetëm si ditën e ngritjes së flamurit, por edhe si ditën e qëndresës, guximit, sakrificës dhe dinjitetit të popullit të Tiranës. Prefekti theksoi se bashkimi i patriotëve dhe klerikëve myslimanë e të krishterë rreth flamurit kombëtar dëshmoi se dashuria për atdheun qëndronte mbi çdo përkatësi fetare. Ai kujtoi gjithashtu se Tirana u përfaqësua në Kuvendin Historik të Vlorës më 28 nëntor 1912 nga Abdi Toptani dhe Murat Toptani, të cilët firmosën Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në vijim të fjalës së tij, Hajdari u ndal edhe te rëndësia e bashkimit të qytetarëve të Tiranës, duke theksuar se kjo ditë i përket të gjithë atyre që kanë rrënjë në kryeqytet, por edhe familjeve që janë vendosur ndër vite aty, duke kontribuar në zhvillimin e qytetit.
“Si prefekt i Qarkut Tiranë, dëshiroj që kjo ditë të na gjejë gjithmonë të bashkuar përtej çdo dallimi krahinor, fetar, politik apo shoqëror. Të parët tanë na lanë amanet lirinë, atdheun dhe dashurinë për bashkimin. Ne kemi detyrimin moral ta ruajmë dhe t’ua përcjellim këtë amanet brezave që do të vijnë”, u shpreh ai.
Në përfundim, prefekti vlerësoi trashëgiminë historike të kryeqytetit dhe kontributin e paraardhësve në rrugëtimin drejt Pavarësisë.
“Vepra e tyre na frymëzon dhe na ngarkon me përgjegjësinë për të ruajtur trashëgiminë historike, për të forcuar bashkimin dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, deklaroi Hajdari, duke e mbyllur fjalën me urimin: “Gëzuar 26 Nëntorin, ditën e krenarisë dhe bashkimit të të gjithë qytetarëve të Tiranës. Rroftë Tirana, rroftë Shqipëria!”./k.m
