Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë të re tarifash ndaj mallrave të importuara nga Kina, Bashkimi Evropian dhe 12 partnerë të tjerë tregtarë, në kuadër të politikës proteksioniste të presidentit Donald Trump. Tarifat e propozuara parashikojnë norma deri në 40% për Kinën dhe deri në 35% për Vietnamin, ndërsa vendet e tjera do të përballen me tarifa prej 20% ose 25%.
Lista e vendeve të prekura përfshin Kinën, Bashkimin Evropian, Singaporin, Zvicrën, Indonezinë, Malajzinë, Kamboxhian, Tajlandën, Korenë e Jugut, Vietnamin, Tajvanin, Bangladeshin, Japoninë dhe Indinë. Masat e reja vijnë pas një hetimi të nisur nga Përfaqësuesi Tregtar i SHBA-së (USTR) në muajin mars, për praktikat tregtare të partnerëve të Amerikës. Hetimi u ndërmor pasi Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi tarifat e njohura si “Dita e Çlirimit”, të shpallura më parë nga Trump.
Tarifat e reja nuk pritet të hyjnë në fuqi përpara vitit të ardhshëm dhe duhet t’i nënshtrohen konsultimeve publike dhe, në disa raste, seancave dëgjimore. Përfaqësuesi Tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, deklaroi se masat synojnë të krijojnë kushte më të barabarta për punëtorët amerikanë dhe të vendosin një drejtim më të qëndrueshëm për ekonominë botërore.Sipas tij, shumë partnerë tregtarë të SHBA-së kanë ndjekur për dekada politika industriale që favorizojnë prodhimin vendas, përmes shtypjes së pagave dhe kostove të punës, si dhe praktikave të tjera që shtrembërojnë konkurrencën ndërkombëtare.
Megjithatë, ekonomistët paralajmërojnë se tarifat mund të nxisin inflacionin dhe të rrisin çmimet për konsumatorët, nëse kompanitë ua kalojnë kostot shtesë blerësve. Ato mund të ndikojnë gjithashtu negativisht në tregtinë globale. Ndryshe nga tarifat e mëparshme, të cilat Trump i vendosi duke përdorur kompetencat presidenciale në kuadër të gjendjes së emergjencës, masat e reja mbështeten në autoritetin e USTR-së sipas Seksionit 301 të legjislacionit amerikan.
Kjo dispozitë i lejon SHBA-së të hetojë praktikat tregtare të vendeve të tjera dhe të vendosë masa ndëshkuese në përgjigje të tyre. Njoftimi ka shkaktuar reagime të shumta nga vendet e prekura. Komisioni Evropian kundërshtoi tarifat e reja dhe deklaroi se do të shqyrtojë arsyet e vendosjes së tyre, duke theksuar se detyrimet duhet të respektojnë kufirin prej 15% të përcaktuar në marrëveshjen e mëparshme me Uashingtonin.
Edhe Vietnami shprehu pakënaqësi. Qeveria japoneze i cilësoi tarifat si një zhvillim për të ardhur keq, ndërsa Singapori tha se nuk pajtohet me përfundimet e administratës amerikane dhe po zhvillon bisedime me USTR-në për të gjetur mënyra për uljen e tyre.
Ndërkohë, ministri i Tregtisë i Koresë së Jugut e konsideroi tarifën e propozuar prej 15% si një rezultat të pranueshëm, pasi ajo përputhet me kufirin e negociuar më parë me Uashingtonin. Në kuadër të marrëveshjes, Seuli kishte premtuar investime prej 350 miliardë dollarësh në SHBA. Njoftimi i ri pritet të shtojë tensionet mes Uashingtonit dhe Pekinit, dy ekonomitë më të mëdha në botë, të cilat janë përfshirë në një konflikt të vazhdueshëm tregtar dhe në konkurrencë të fortë për zhvillimin e inteligjencës artificiale./k.m
