E konsideruar si supermodelja e parë gjermane, ajo u bë një nga fytyrat më ikonike të viteve ’60 dhe ’70, ndërsa fitoi famë edhe me rolin e saj në filmin “Blow-Up”.
Bota e modës ka humbur një nga figurat më të rëndësishme të saj. Supermodelja gjermane Veruschka, emri i vërtetë i së cilës ishte Vera von Lehndorff, është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare.
Lajmi u konfirmua më 25 nëntor nga familjarët e saj dhe u raportua fillimisht nga gazeta gjermane “Bild”. Sipas mediave të huaja, modelja ndërroi jetë më 24 nëntor në banesën e saj në Berlin, e rrethuar nga miq dhe familjarë. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.
E lindur më 14 maj 1939 në Königsberg, atëherë pjesë e Prusisë Lindore, Veruschka pati një fëmijëri të vështirë. Babai i saj, konti Heinrich von Lehndorff-Steinort, u ekzekutua në vitin 1944 për përfshirjen në komplotin e dështuar për të vrarë Adolf Hitlerin.
Karriera e saj në modeling nisi në Itali, ku në moshën 20-vjeçare u zbulua nga fotografi Ugo Mulas. Më pas, ajo adoptoi emrin artistik Veruschka, me të cilin do të bëhej e njohur në mbarë botën.
Në vitet 1960, ajo u vendos në Nju Jork dhe nisi të bashkëpunonte me fotografët më të njohur të kohës, mes tyre Richard Avedon, David Bailey dhe Irving Penn. Pamja e saj karakteristike, shtatlartësia dhe aftësia për të transformuar imazhin para aparatit fotografik e kthyen në një nga modelet më të kërkuara të industrisë.
Fotografi i famshëm Richard Avedon e kishte cilësuar si “gruan më të bukur në botë”, ndërsa Veruschka u shfaq në kopertinat e revistave prestigjioze si “Vogue” dhe “Life”.
Famën e saj e zgjeroi edhe kinemaja. Në vitin 1966, ajo u shfaq në filmin “Blow-Up”, të regjisorit italian Michelangelo Antonioni, një rol që e bëri të njohur edhe për publikun jashtë industrisë së modës.
Megjithatë, në mesin e viteve 1970, Veruschka nisi të distancohej nga modeling-u. Një nga arsyet ishte mosmarrëveshja me drejtimin e ri editorial të revistës “Vogue”. Në një intervistë të vitit 2009, ajo tregoi se nuk dëshironte të përshtatej me imazhin e një gruaje tradicionale që i kërkohej të përfaqësonte.
“Ajo dëshironte që unë të isha një grua borgjeze, por unë nuk doja të isha e tillë”, ishte shprehur modelja.
Pavarësisht largimit nga pasarelat, ajo vazhdoi të ishte e pranishme në botën e artit dhe modës, duke u rikthyer herë pas here në projekte fotografike dhe kinematografike.
Në vitin 2006, Veruschka u shfaq edhe në filmin “Casino Royale”, përkrah Daniel Craig, ku interpretoi një lojtare pokeri që ulet në të njëjtën tryezë me James Bond.
Me karrierën dhe stilin e saj të veçantë, Veruschka la një gjurmë të rëndësishme në historinë e modës, duke u konsideruar edhe sot një prej figurave që ndryshuan mënyrën se si prezantohej bukuria para aparatit fotografik./k.m
