Një aksident tragjik i ka marrë jetën prezantueses së njohur televizive nga Azerbajxhani, Ada Suleymanova, vetëm pak orë pasi kishte festuar ditëlindjen e saj të 31-të.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të 23 nëntorit, në kryeqytetin Baku. Në aksident humbi jetën edhe miku i saj, Anar Karimov, i cili drejtonte automjetin.
Sipas agjencisë së lajmeve azerbajxhanase “Report.az”, në përplasjen e fortë u përfshinë një makinë dhe një kamion. Pas njoftimit për aksidentin, ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, por dy personat kishin mbetur të bllokuar brenda automjetit të shkatërruar nga përplasja.
Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit dhe përdorimit të pajisjeve speciale për nxjerrjen e tyre, Ada Suleymanova dhe Anar Karimov nuk arritën të mbijetonin.
Ada ishte një figurë e njohur e televizionit në Azerbajxhan. Ajo kishte punuar në televizionin ARB TV, ku u bë e njohur përmes emisionit “Sən olsaydın”, të cilin e prezantoi për një periudhë të gjatë.
Pas largimit nga televizioni, 31-vjeçarja po përgatitej të niste një projekt të ri në YouTube, në formatin podcast, ku kishte planifikuar të ftonte personazhe të njohur. Ajo ishte gjithashtu aktive në rrjetet sociale, ku ndiqej nga më shumë se 40 mijë persona në Instagram.
Detaji që e bën edhe më të dhimbshme ngjarjen është se vetëm pak orë para aksidentit, prezantuesja kishte festuar ditëlindjen në një restorant në Baku. Ajo po kthehej në shtëpi kur ndodhi përplasja fatale.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet dhe kanë caktuar ekspertizat përkatëse për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e aksidentit./k.m
