Një finale emocionuese, një moment i vështirë në pistën e kërcimit dhe në fund një fitore historike. Ezra Frech është shpallur fitues i sezonit të 35-të të spektaklit amerikan “Dancing With the Stars”, duke u bërë konkurrenti i parë me protezë që ngre trofeun e famshëm Mirrorball.
21-vjeçari, kampion paralimpik në atletikë, triumfoi së bashku me partneren e tij profesioniste, Daniella Karagach, në finalen e transmetuar më 24 nëntor. Përveçse hyri në histori si fituesi i parë me protezë, Frech u bë edhe mashkulli më i ri që fiton këtë kompeticion, duke thyer rekordin e Robert Irwin, fituesit të sezonit të kaluar.
Rruga drejt trofeut kulmoi me një performancë që nuk shkoi plotësisht sipas planit. Në raundin freestyle, çifti kërceu nën ritmet e këngës “Numb” të grupit Linkin Park, duke zgjedhur një koreografi të veçantë. Ezra e nisi numrin pa protezën e tij, me planin për ta vendosur atë gjatë performancës.

Megjithatë, gjatë kërcimit ai hasi një problem me fiksimin e protezës, e cila nuk qëndroi në vendin e duhur. Pavarësisht vështirësisë së papritur, ai dhe partnerja arritën të përshtateshin me situatën dhe ta përfundonin performancën.
Vetë Frech tregoi më pas, gjatë një interviste për emisionin “Good Morning America”, se çfarë ndodhi në ato momente.
“Gjithçka shkoi pak ndryshe nga plani. Nuk arrita ta fiksoja këmbën time me protezë. E dija që nuk ishte vendosur siç duhej. Ndonjëherë, në situata të tilla, ajo fiksohet sërish, por këtë herë nuk ndodhi. Daniella më tha ta vendosja gjatë kërcimit. Në një moment, sikur humba vetëdijen për gjithçka, dhe më pas arritëm ta përfundonim performancën”, rrëfeu ai.
Pavarësisht incidentit, juria vlerësoi maksimalisht çiftin. Derek Hough, Carrie Ann Inaba dhe Bruno Tonioli u dhanë pikët maksimale në të tria raundet e finales, duke i siguruar 90 pikë në total.
Emocionet arritën kulmin në momentin e shpalljes së fituesve, kur 21-vjeçari nuk e fshehu lumturinë për këtë arritje.
“Ky është momenti më i veçantë i jetës sime. Faleminderit të gjithëve që votuat dhe që besuat tek ne”, u shpreh Frech.
Në vendin e dytë u rendit patinatorja olimpike Amber Glenn, së bashku me partnerin Pasha Pashkov. Në garë deri në fazën përfundimtare ishin gjithashtu Connor Wood me Rylee Arnold, Tatyana Ali dhe Maura Higgins me Mark Ballas.
Për partneren e tij, Daniella Karagach, ky ishte triumfi i dytë në “Dancing With the Stars”. Ajo kishte fituar më parë sezonin e 30-të, në çift me basketbollistin Iman Shumpert.
Por suksesi i Frech shkon përtej një trofeu televiziv. Sportisti amerikan, i cili ka përfaqësuar vendin e tij në Lojërat Paralimpike, e ka kthyer përvojën personale në një mesazh për të rinjtë me aftësi të kufizuara.
Ai ka treguar se gjatë fëmijërisë është përballur me paragjykime dhe vështrime të njerëzve për shkak të aftësisë së kufizuar, duke u ndier shpesh i veçuar nga të tjerët.
“Kur rritesha me një aftësi të kufizuar, nuk ishte e lehtë. Njerëzit më shikonin, më tregonin me gisht, pëshpëritnin dhe më nënvlerësonin. Ndonjëherë ndihesha sikur isha i vetmi fëmijë në botë që dukej si unë. Por dy gjëra ndryshuan mënyrën se si e shihja veten: familja dhe sporti”, ka rrëfyer ai.
Frech është gjithashtu bashkëthemelues, së bashku me të atin, i një organizate në Los Angeles që synon të mbështesë dhe zhvillojë sportin paralimpik për fëmijët dhe të rinjtë.
Përmes këtij suksesi, 21-vjeçari shpreson të përcjellë një mesazh frymëzues, duke treguar se pengesat fizike nuk duhet të përcaktojnë ëndrrat dhe të ardhmen e askujt./ad
