Last Updated on 26/11/2026 by EL
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se janë ndërmarrë hapa të rinj në kuadër të angazhimeve për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Ajo ka njoftuar se është miratuar strategjia shtetërore për mbrojtjen e çlirimtarëve në apel, ndërsa është përgatitur edhe një iniciativë e re ligjore për Dhomat e Specializuara, e cila pritet të procedohet në Kuvend brenda pak ditësh.
Çitaku ka paralajmëruar gjithashtu takime me liderët e partive politike, shoqatat e dala nga lufta dhe përfaqësues ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e unitetit politik dhe institucional për këtë çështje.
Fjalimi i plotë:
Sot, pas disa ditësh pune intensive, kam kënaqësinë t’ju konfirmoj disa zhvillime të reja dhe tejet të rëndësishme për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë dhe për iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Jo sepse konsideroj se kemi bërë diçka të jashtëzakonshme, por sepse po përmbushim një detyrë dhe një zotim që kemi marrë publikisht para qytetarëve të Kosovës.
E para, gjatë kësaj jave kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, të hartuar dhe të harmonizuar nga ekspertët juridikë. Dje, në mbledhjen e radhës të Grupit Strategjik, ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit. Qëllimi i kësaj iniciative mbetet i pandryshuar. Të garantojmë një proces të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mekanizma të mirëfilltë të mbikëqyrjes institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit. Në asnjë moment nuk kemi synuar t’i ikim drejtësisë apo ta pengojmë atë. Përkundrazi, kërkojmë që drejtësia të ushtrohet në përputhje me parimet mbi të cilat ajo vetë është ndërtuar.
E dyta, dje, në mbledhjen e Grupit Strategjik, kemi miratuar strategjinë shtetërore për mbrojtjen e çlirimtarëve në apel. Kjo strategji është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Tashmë kemi një dokument të përbashkët, mbi bazën e të cilit shteti i Kosovës do të organizojë angazhimin e tij në këtë proces. Prandaj, më lejoni që sot ta vë theksin te UNITETI politik dhe institucional që kemi arritur. Uniteti për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për mbrojtjen e historisë sonë dhe të luftës së popullit tonë për liri. Por, njëkohësisht, edhe për mbrojtjen e së tashmes dhe të së ardhmes së Republikës sonë. E kam thënë dhe po e përsëris: për mua, ky unitet ka peshë historike. Sepse, përtej dallimeve tona politike, kemi arritur të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët për një çështje që i tejkalon interesat e secilës parti politike.
E treta, iniciativa e re ligjore do të procedohet në Kuvendin e Kosovës brenda pak ditësh. Këtë javë ose gjatë javës së ardhshme. Ndërkohë, personalisht, unë do të ndërmarr edhe disa hapa të rëndësishëm.
1. Do të takoj drejtuesit e të gjitha partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Dua që së bashku të diskutojmë për peshën e këtij uniteti dhe për përgjegjësinë tonë të përbashkët në këtë betejë shtetërore.
2. Do të takoj përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata meritojnë të informohen drejt, në kohë dhe drejtpërdrejt për secilin hap që po ndërmarrim.
3. Gjithashtu, do të zhvilloj takime me organizata të shoqërisë civile, akademikë, ekspertë juridikë, diplomatë dhe zyrtarë të vendeve partnere perëndimore. Dëshirojmë që ky të jetë një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe juridikisht i qëndrueshëm. Synimi ynë është që iniciativa e re ligjore të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor.
E katërta, por jo më pak e rëndësishme, e mirëpres gatishmërinë e shprehur nga Bashkimi Evropian për t’u konsultuar me ne në këtë proces. Sot, publikisht, e ftoj Bashkimin Evropian që t’i fillojmë këto konsultime pa humbur asnjë ditë.
Ne jemi gati – qysh nga sot. Kosova e ka përmbushur pjesën e saj të përgjegjësisë. Mirëpo, sipas vlerësimit tonë, pritshmëritë për një proces gjyqësor të drejtë, të barabartë dhe në përputhje me standardet më të larta evropiane nuk janë përmbushur.
Ndërkohë, nesër përfundon afati që mbrojtja e drejtuesve të UÇK-së, Hashimit Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të njoftojë apelimin e vendimit dënues të gjykatës së shkallës së parë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 16 shtator.
Tashmë, avokatët e katërshes së UÇK-së kanë bërë të ditur se ata do të kundërshtojnë dënimin e ish-udhëheqësve, pasi që të njëjtët, i kanë vlerësuar dënimet si të padrejta.
Përveç tyre, nga ana tjetër, është edhe Prokuroria e Speciales, ajo që po ashtu ka paralajmëruar mundësinë e apelimit. Porse, ende s’është bërë e ditur se nëse prokuroria ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës.
Në rast të apelimit, Gjykata e Apelit do t’i shqyrtojë pretendimet e palëve dhe ligjshmërinë e aktgjykimit, pa e përsëritur procesin gjyqësor në tërësi.
Sa i përket këtij procesi, nuk ka afat të caktuar se kur pritet të përfundojë, megjithatë, zëra nga njohës të fushës kanë paralajmëruar se procesi në Apel, mund të zgjasë rreth një vit./et
