Last Updated on 26/11/2026 by EL
Deputeti socialistë Ulsi Manja, deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit se akti normativ për tubimet nuk synon të ndëshkojë protestën paqësore, por aktet e dhunës që mund të shoqërojnë organizimin e tyre.
Gjatë fjalës së tij, ai u ndal te protestat e qershorit, të cilat i cilësoi si të dhunshme jo vetëm për shkak të përplasjeve fizike, por edhe për gjuhën e urrejtjes, linçimin publik dhe sulmet personale e familjare ndaj personave që nuk ndanin të njëjtin qëndrim me protestuesit.
Po ashtu Manja ka ironizuar opozitën lidhur me protestën e paralajmëruar në 28 nëntor, Ditën e Pavarësisë, për të cilën demokratët kanë deklaruar se do t’i bashkohen.
“Nuk ndëshkohet protesta paqësore, por dhuna. Protestat e qershorit kanë qenë më të dhunshme, sepse u shoqëruan me dhunë psikologjike, me linçim publik, personal dhe familjar të kujtdo që nuk mendonte si protestuesit. Një grusht njerëzish i dhanë të drejtë vetes të përcaktonin se kush ishte patriot dhe kush ishte armik, kush duhej të jetonte dhe kush duhej të vdiste.
Kësaj gjuhe urrejtjeje, këtij helmi që prodhuan protestat e qershorit, nuk i shpëtoi askush, as personat publikë, as qytetarët e zakonshëm që u distancuan nga protesta, që nuk mendonin si këta që protestonin. Nuk e di nga e morën urdhrin, nga lart mbase, që këta ishin shumica në këtë vend.
Protesta si ato të qershorit dhe të tetorit dështuan, sepse qytetaria e Tiranës dhe e Shqipërisë nuk është dakord me dhunën në këtë vend. Edhe për atë të paralajmëruar më 28 nëntor, këtu do të jemi dhe do ta shohim nëse qytetari do t’i bashkohet apo nuk do t’i bashkohet. Ju doni ta ktheni në ditën e përçarjes. Ne e kemi Ditën e Pavarësisë, po ju mbase doni të festoni përvjetorin e tortës së Lulit,” tha Manja./et
