Situatë paniku është krijuar në selinë mbretërore detare në Portsmouth të Anglisë. Kjo për shkak se është raportuar për alarm për bombë, duke “çuar peshë” të gjithë autoritetet.
Ky lajm është bërë i ditur nga Policia, e cila “alarmin e kuq” për bombë e ka marrë përmes një telefonate. Megjithatë, autoritetet kanë qetësuar situatën, duke u shprehur se nuk ka rrezik.
“Incidenti i sigurisë në HMS Excellent ka përfunduar pas një kontrolli të kryer nga Policia dhe personeli i Ministrisë së Mbrojtjes. Baza vazhdon të jetë plotësisht funksionale, ndërsa hetimet lidhur me incidentin janë ende në vazhdim”, ka thënë një zëdhënës i selisë mbretërore detare.
Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Autoritetet po punojnë për të gjetur edhe telefonuesin, identiteti i të cilit deri më tani nuk dihet./mxh
