Last Updated on 27/11/2026 by Anisa
Drejtoria e Burgjeve në Burrel, ka reaguar për plagosjen e efektivit të policisë, i cili u godit nga i burgosuri Dritan Imeri mbrëmjen e djeshme. Në një njoftim për shtyp, ata shkruajnë se i burgosuri e ka goditur inspektorin Agron Bebja në befasi me një ekspres kafeje, duke i shkaktuar dëmtime në kokë.
Gjithashtu, Drejtoria e Burgjeve në Burrel ka thënë se fatmirësisht i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa garantojnë marrjen e masave për mbulimin e shpenzimeve mjekësore të punonjësit të dëmtuar.
Kujtojmë se i dënuari ka kërkuar të shkojë në tualet dhe sapo efektivi ka hapur derën, e ka goditur në kokë me një objekt të fortë. Në ndihmë të punonjësit ka ndërhyrë edhe një efektiv tjetër i policisë së burgjeve.
Efektivi i dëmtuar është dërguar për ndihmë mjekësore, ku ka marrë gjashtë qepje në kokë.
Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor i Prokurorisë së Dibrës, i dënuari, kur është pyetur për arsyen e veprimit, është përgjigjur: “Ma dha truri”.
Reagimi i plotë:
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se, në IEVP Burrel, gjatë kryerjes së shërbimit nga strukturat e sigurisë, është regjistruar një incident me pasoja për shëndetin e një punonjësi të Policisë së Burgjeve.
Në momentin e hapjes së derës së dhomës së banimit, i dënuari Dritan Imeri ka ndërmarrë një veprim të dhunshëm ndaj punonjësit të grupit të sigurisë, inspektor Agron Bebja, duke e goditur në befasi me një ekspres kafeje dhe duke i shkaktuar dëmtime në zonën e kokës.
Menjëherë pas incidentit, strukturat e sigurisë kanë ndërhyrë për neutralizimin e situatës, duke bërë të mundur ndërprerjen e veprimeve të dhunshme dhe rikthimin e kontrollit në institucion.
Inspektorit iu dha ndihma e parë në ambientet e IEVP Burrel dhe më pas u shoqërua për vizitë mjekësore në Spitalin e Matit. Sipas vlerësimit të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën
Pas marrjes së informacionit për incidentin, drejtues të lartë të Policisë së Burgjeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë mbërritur në IEVP Burrel për të ndjekur nga afër situatën dhe për të vlerësuar masat e marra. Në vijim, ata kanë vizituar punonjësin e dëmtuar në banesën e tij, pas daljes nga spitali, duke i shprehur mbështetjen dhe solidaritetin institucional.
Për rastin është përpiluar raporti përkatës i incidentit, ndërsa janë njoftuar autoritetet kompetente dhe AMSEVP për vijimin e veprimeve procedurale dhe trajtimin e mëtejshëm të ngjarjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dënon me vendosmëri çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë së Burgjeve, të cilët përmbushin detyrën e tyre në garantimin e sigurisë, rendit dhe zbatimit të ligjit në institucionet penitenciare.
Njëkohësisht, Drejtoria shpreh mbështetjen e plotë për punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe garanton marrjen e masave për mbulimin e shpenzimeve mjekësore të punonjësit të dëmtuar, deri në rikuperimin e plotë të gjendjes së tij shëndetësore, duke i uruar atij shërim të shpejtë./ad
