Last Updated on 27/11/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK ku është thirrur në lidhje me kallëzimin e depozituar prej tij ndaj drejtuesve të Policisë, lidhur me pretendimet për ushtrim dhune ndaj protestuesve.
Pas daljes nga ambientet e SPAK, Kapri bëri me dije se ka dhënë dëshminë e tij të plotë pranë punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Ai deklaroi se kallëzimi lidhet edhe me përgjegjësinë e drejtuesit të Policisë së Shtetit për urdhrat dhe sjelljen e efektivëve gjatë protestave.
“Të rinjtë janë rrahur në mënyrë barbare. Është ajo ditë kur, bashkë me Agron Shehajn, hasëm në rrugë drejtorin e Policisë, Hitajn, dhe i kërkuam llogari për dhunën barbare. Ai urdhëroi një punonjës të vetin të më sulmonte”, deklaroi Kapri.
Ndërsa bëri të ditur se SPAK ka nisur një hetim për dhunën policore në protesta, deputeti e quan këtë një lajm të mirë.
“Fakti që nis hetim nga SPAK për Drejtorin e Policisë është lajm shumë i mirë. Sot jemi një ditë përpara protestës së madhe më 28 Nëntor. Kemi kallëzuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, që ushtron detyrën dhe jep urdhrat për sjelljen e efektivëve. Unë dhashë dëshminë time të plotë pranë punonjësve të BKH-së”, u shpreh deputeti./ad
