Last Updated on 27/11/2026 by Monika
Një depozitë uji me kapacitet 5 tonë është rrëzuar nga taraca e një pallati 8-katësh në lagjen “Apollonia” të Fierit, si pasojë e erës së fortë gjatë mbrëmjes së djeshme.
Fatmirësisht, në momentin e ngjarjes nuk ka pasur persona në afërsi, duke shmangur kështu pasojat në njerëz.
Pas incidentit, Policia Bashkiake ka nisur monitorimin e situatës, ndërsa po koordinon punën me Ndërmarrjen e Gjelbërimit dhe Parqeve pranë Bashkisë Fier për largimin e depozitës.
Depozita e ujit, e cila për shkak të peshës dhe lartësisë nga ku është rrëzuar përbënte rrezik për kalimtarët, pritet të largohet nga zona me ndërhyrjen e strukturave bashkiake.
Ngjarja vjen në një kohë kur vendi po përballet me mot të paqëndrueshëm dhe erëra të forta, të cilat kanë shkaktuar probleme edhe në zona të tjera./MXH
