Last Updated on 27/11/2026 by Monika
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka komentuar ndikimin e polarizimit politik në Shqipëri në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar se dallimet politike janë pjesë e demokracisë, por mungesa e dialogut dhe e bashkëpunimit mes palëve përbën një problem.
Në një intervistë për Euronews Albania me gazetaren Mirela Milori, Kos u shpreh se është e rëndësishme që të gjitha palët politike të gjejnë një terren të përbashkët dhe të angazhohen në procesin e integrimit.
“Jo, ndryshimet në mendimet politike janë pjesë e çdo demokracie. Ajo që është e rëndësishme është që të ketë një interes të vërtetë nga të gjitha palët për t’u bashkuar dhe për të gjetur një terren të përbashkët”, deklaroi Kos.
Ajo kujtoi se mungesa e dialogut politik është evidentuar edhe në Raportin e Zgjerimit të Komisionit Europian për këtë vit, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve në reformat që lidhen me anëtarësimin.
“Ne e kemi ngritur çështjen e mungesës së dialogut politik në Raportin tonë të Zgjerimit për këtë vit, dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që ata që preken nga reformat që janë bërë, dhe kjo është në fakt e gjithë popullsia juaj, të përfshihen në proces”, tha komisionerja.
Kos theksoi gjithashtu rëndësinë e konsultimeve publike dhe dëgjimit të organizatave të shoqërisë civile, si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës.
E pyetur nga Mirela Milori për situatën brenda Partisë Socialiste dhe përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropalit, komisionerja tha se i kishte vënë re dallimet gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian.
Sipas saj, problemi për demokracinë nuk është ekzistenca e mendimeve të ndryshme, por mungesa e komunikimit dhe e bashkëpunimit.
“Ajo që nuk është e mirë për asnjë demokraci është që të mos flitet me njëri-tjetrin. Siç e kam thënë, nuk pres që të gjithë të kenë të njëjtin mendim”, u shpreh Kos.
Ajo shtoi se parlamenti duhet të jetë vendi ku mazhoranca dhe opozita bashkohen për të diskutuar dhe kontribuar në procesin e integrimit.
“Anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar i gjithë Shqipërisë. Pra, pres që të gjithë, madje ndonjëherë edhe duke mos rënë dakord, të punojnë për këtë rrugë”, deklaroi komisionerja europiane./MXH
