Një përplasje fizike mes disa spektatorëve ka prishur atmosferën në koncertin e Christina Aguilera-s në Peru. Ngjarja u regjistrua nga të pranishmit, pikërisht në momentin kur këngëtarja po interpretonte hitin e saj “Beautiful”.
Në pamjet e publikuara shihet një burrë duke goditur me grushte një person tjetër pranë skenës, ndërsa të paktën tre spektatorë përpiqen ta ndalojnë. Situata përshkallëzohet më tej, kur personat e përfshirë në sherr përfundojnë në tokë, ndërsa turma përreth formon një rreth.
Teksa përplasja vazhdon, gjithnjë e më shumë njerëz ndërhyjnë për të ndarë të përfshirët. Në fund, njëri prej tyre largohet me fytyrën të gjakosur, ndërsa situata qetësohet, raporton “TMZ”.
Incidenti ndodhi në stadiumin kombëtar të Limës, ku Christina Aguilera ishte artistja kryesore e festivalit “Sound Music Fest: Golden Years Edition”.
TMZ bën me dije se deri më tani nuk dihet se çfarë e shkaktoi konfliktin, pasi organizatorët e aktivitetit nuk kanë dhënë ende një reagim./mxh
