Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur mëngjesin e sotëm Zvicrën, ku 37 automjete, mes tyre makina, furgonë dhe kamionë, janë përfshirë në një përplasje masive në autostradën A1.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur 10 persona. Sipas raportimeve të medias zvicerane SRF, ngjarja ndodhi rreth orës 05:45, ndërsa pjesa më e madhe e automjeteve të dëmtuara është larguar nga rruga me karrotrec.
Ndërkohë, personat që nuk kanë pësuar lëndime janë shoqëruar nga ekipet e emergjencës drejt një zone pushimi, ku janë marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat e përplasjes.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Megjithatë, policia dyshon se kushtet e vështira dimërore dhe situata në rrugë mund të kenë ndikuar në shkaktimin e tij.
Për shkak të aksidentit, qarkullimi në autostradën A1 në drejtim të St.Gallenit është ndërprerë. Autoritetet u kanë kërkuar drejtuesve të automjeteve të shmangin këtë segment, pasi bllokimi pritet të vijojë deri në orët e vona të pasdites./mxh
