Kryeministri i Çekisë, Andrej Babish hodhi poshtë sot buxhetin afatgjatë të propozuar nga Bashkimi Evropian duke deklaruar se kjo do ta linte vendin me 3.2 miliardë euro më pak fonde krahasuar me kuadrin aktual, raportoi “Radio Prague International”.
Duke folur pas një samiti të jashtëzakonshëm të BE-së në Bruksel, Babish tha se nuk është arritur asnjë përparim drejt një marrëveshjeje dhe se ka gjasa të ketë një propozim të rishikuar. Ai theksoi se Çekia kërkon një pjesë më të madhe të fondeve të kohezionit, të cilat mbështesin rajonet më pak të zhvilluara në të gjithë bllokun.
Gjithashtu, Babish u shpreh kundër përfshirjes së ndihmës financiare për Ukrainën në buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së, duke argumentuar se kjo çështje duhet të trajtohet veçmas. Në një deklaratë të enjten, para fillimit të samitit, ai tha se Çekia ka nevojë për fondet e kohezionit për të përfunduar projektet e autostradave dhe për të mbështetur sistemin e saj shëndetësor.
Kryeministri çek e ka kritikuar vazhdimisht buxhetin e propozuar, duke e cilësuar atë si të papranueshëm për shkak të shkurtimeve të planifikuara në fondet për vendet anëtare si dhe shpenzimeve për institucionet e BE-së dhe Ukrainën.
Çekia dhe Sllovakia kanë kundërshtuar thirrjet për fonde shtesë nga BE-ja për Ukrainën. Më herët, Babish dhe kryeministri sllovak, Robert Fico hodhën poshtë një propozim që të gjitha vendet anëtare të kontribuojnë në mbulimin e deficitit buxhetor të Kievit.
Çekia, Sllovakia dhe Hungaria siguruan një përjashtim nga garancitë për një kredi të mëparshme të BE-së për Ukrainën, në vlerë prej 90 miliardë eurosh. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa deklaroi sot se 24 vende anëtare e mbështetën propozimin për një kredi prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, pa specifikuar se cilat shtete nuk e kanë mbështetur atë.
Babish tha se liderët e BE-së nuk e diskutuan çështjen e Ukrainës gjatë samitit, ndonëse disa vende anëtare e ngritën këtë temë./mxh
