Last Updated on 27/11/2026 by EL
Gjykata e Posaçme shpalli vendimin përfundimtar ndaj 12 personave, mes të cilëve emra të njohur në botën e krimit, të pandehur në një nga fraksionet e dosjes “Revanshi”. Ata u fajësuan si anëtarë grupesh kriminale që ishin angazhuar në sigurimin e kushteve për vrasje. Në dy raste, shënjestër të krimeve ishin ish-deputeti socialist Arben Ndoka dhe vëllezërit nga Fushë-Kruja, Durim e Valter Bami, ngjarje që nuk u realizuan.
Dënimet më të rënda me nga 15 vite burg, morën të pandehurit Emiliano Shullazin dhe Astrit Avdylin, i njohur edhe me emrat Astrit Balliu e Astrit Sulejmani. Ata u fajësuan për sigurimin e kushteve për vrasjen e vëllezërve Bami dhe një sërë veprash penale, përfshirë “futjen e sendeve të ndaluara në qeli”.
Sipas vendimit, Shullazit e Avdylit iu ndalohet lirimi me kusht. Po në lidhje me planet për vrasjen e vëllezërve Bami gjykata dënoi me 9 vjet Blerim Abazin dhe 7 vjet e 6 muaj burg Naim Stafukën.
Gjergji Çukali, i njohur si “i forti” i Myslym Shyrit u dënua me 12 vjet burg, si përgjegjës për vrasjen e Elvis Gacajt dhe Altin Getës.
Për të pandehurit Besian Xhixha e Enver Diva gjykata vulosi dënime me nga 10 vite burg, ndërsa për Robert Laçin 9 vite. Ata u fajësuan për krijim kushtesh për vrasjen e Preng Gjinit, i cili i mbijetoi një atentati me eksploziv në automjetin e tij shtatorin e vitit 2020 në Tiranë.
Për të pandehurin Xhelal Rraja, i akuzuar për sigurim kushtesh për vrasjen e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, togat e zeza dhanë një dënim me 6 vjet heqje lirie. Ish-deputeti është në kërkim nga drejtësia ndërkohë, por për llogari të dosjes “Revanshi”.
Dënimin me 10 vite burg Viktor Imerajt (Bajraktarit) dhe atë me 9 vite Satilno Bashës gjykata e dha pasi provoi përfshirjen e tyre në sigurimin e kushteve për vrasjen e Fatmir e Armando Hysenit.
Ndërsa i pandehuri Miri Bruli u fajësua për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Gjykata urdhëroi lirimin e tij, për shkak se masa e dënimit ishte më e madhe se ajo e paraburgimit. /et
