Last Updated on 27/11/2026 by EL
Nga Sejdin Cekani
Një dukuri po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në jetën tonë publike: politikani po bën gazetarin dhe gazetari po bën politikanin. Rolet janë përzier, kufijtë janë zbehur dhe, duke parë sjelljen e të dyja palëve, ndonjëherë nuk merret vesh se kush është ai që kërkon pushtetin dhe kush është ai që duhet ta vëzhgojë atë.
Le të marrim politikanin. Dikur ai dilte para gazetarëve për të bërë një deklaratë, për të paraqitur një program, për t’iu përgjigjur pyetjeve apo për të mbajtur përgjegjësi për një vendim të caktuar. Sot, në epokën e celularit dhe rrjeteve sociale, politikani mund të bëhet edhe vetë reporter, kameraman, regjisor, komentator dhe, pse jo, protagonist i një emisioni me një personazh të vetëm: veten.
Celulari është kthyer në një lloj televizioni personal. Politikani filmon rrugën, takimin, protestën, qytetarin, kundërshtarin, një incident apo çfarëdo tjetër. Filmon edhe veten duke ecur. Pastaj e publikon, e komenton dhe pret që mediat ta marrin, ta transmetojnë dhe ta kthejnë në lajm.
Politikanit nuk i duhet më gazetari për të prodhuar lajmin. Gazetari i duhet vetëm për ta shpërndarë atë.
Rrjetet sociale i kanë dhënë mundësi politikanit t’i drejtohet vetë publikut, pa ndërmjetësimin e medias. Kjo, në vetvete, nuk është diçka e keqe. Përkundrazi, është një mundësi e re komunikimi. Problemi nis kur komunikimi zëvendëson politikën dhe protagonizmi zëvendëson përgjegjësinë.
Sepse, kur politikani bëhet gazetar, askush nuk mund t’i bëjë pyetje. Faktet që ai paraqet mbeten pa u verifikuar dhe askush nuk i thotë se ajo që po paraqet si të vërtetë mund të jetë thjesht interpretimi i tij.
Pikërisht këtu qëndron arsyeja pse gazetaria ekziston si profesion më vete.
Por edhe disa gazetarë po tundohen jo pak. Në vend që të përmbushin misionin themelor të profesionit – të informojnë, të verifikojnë, të pyesin, të ballafaqojnë palët dhe t’i japin publikut mundësinë të krijojë gjykimin e vet – ata ndonjëherë largohen nga terreni i gazetarisë dhe hyjnë në sheshin e politikës.
Kjo duket sidomos gjatë protestave dhe përplasjeve politike të kohëve të fundit. Me mikrofon në dorë dhe kamerën përballë, ngrenë zërin dhe nuk i përmbajnë emocionet. Gazetari nuk pyet më protestuesin se çfarë kërkon, por nis të bëjë interpretime. Nuk raporton thjesht për përplasjen, por përfshihet edhe në atmosferën e saj. Në rastet më ekstreme, nuk është më e qartë nëse kemi përpara një gazetar që po mbulon një protestë apo një protestues që ka marrë mikrofonin e gazetarit.
Këtu kemi një kufi që duhet ruajtur me shumë kujdes. Gazetari ka të drejtë të ketë bindjet e veta politike, të mos jetë dakord me qeverinë, madje as me opozitën apo me cilindo institucion. Por një gjë është bindja personale dhe tjetër është roli i tij si gazetar profesionist.
Kur bindja fillon të zëvendësojë raportimin, publiku humbet diçka shumë të rëndësishme: besimin se gazetari që po i rrëfen ngjarjen po përpiqet t’ia paraqesë atë në mënyrë të paanshme, pa ia diktuar se si duhet ta gjykojë.
Gazetari mund të jetë i ashpër në pyetje, kritik në analizë dhe i pakompromis në kërkimin e së vërtetës. Por, kur bëhet pjesë e aksionit politik që po mbulon, siç ndodh në disa raste gjatë protestave, rrezikon të mos jetë më dëshmitar i ngjarjes, por aktor i saj.
Sidoqoftë, gazetaria nuk ka nevojë për një neutralitet mekanik, por për pavarësi profesionale. Ndërkohë, politika nuk ka pse të bëjë gazetari për t’u dukur më moderne. Sot kemi arritur në një situatë ku të dyja palët kërkojnë të njëjtën gjë: vëmendjen. Si politikani, ashtu edhe gazetari kërkojnë vëmendjen e publikut dhe sa më shumë ndjekës. Kështu, po ndodh ajo që mund të quhet “mallkimi i ekrani”. Pra, ajo që tërheq më shumë vëmendje fillon të quhet më e vlefshme se vetë e vërteta.
Një deklaratë e matur nuk ka gjithmonë përhapje të menjëhershme dhe nuk sjell aq shumë klikime. Po ashtu, një investigim që kërkon muaj të tërë pune mund të marrë më pak vëmendje se një video prej tridhjetë sekondash. Ndërsa një sharje, një përplasje, një provokim apo një video-skandal e filmuar me celular mund të tërheqin menjëherë gjithë vëmendjen.
Kështu, politikani mendon se mund të fitojë pikë duke luajtur rolin e gazetarit, ndërsa gazetari mendon se mund të fitojë audiencë duke luajtur rolin e politikanit. Të dy mendojnë se po fitojnë, por, ndërkaq, mund të jetë publiku ai që humbet.
Çdo shoqëri demokratike ka nevojë për role të qarta. Politikani, natyrisht, lufton dhe kërkon pushtetin, pastaj duhet të marrë vendime dhe të mbajë përgjegjësi për to. Ndërkaq, gazetari duhet ta kontrollojë pushtetin, të pyesë, të verifikojë dhe të informojë publikun për atë që bën pushteti.
Nëse politikani bëhet gazetar dhe gazetari bëhet politikan, kush mbetet për të kontrolluar? Sigurisht, askush. Sepse të gjithë duan të jenë protagonistë. Prandaj, nëse gazetari mendon se është më i aftë për politikë, le ta provojë. Të lërë mikrofonin, të kandidojë dhe të kërkojë votat e qytetarëve. Po ashtu, nëse politikani mendon se është më i aftë për gazetari, le ta lërë postin, të marrë një bllok shënimesh dhe të dalë në terren.
Le t’i provojnë rolet, por jo të dyja njëherësh. Sepse demokracia nuk ka nevojë për politikanë që bëjnë gazetari dhe gazetarë që bëjnë politikë. Ka nevojë për politikanë që bëjnë politikë të përgjegjshme dhe gazetarë që bëjnë gazetari të paanshme.
