Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, ka vënë në pikëpyetje argumentet historike që Rusia përdor për të justifikuar pretendimet e saj territoriale ndaj Ukrainës, duke deklaruar se, nëse ndiqet e njëjta logjikë, edhe vetë Rusia duhet t’i kthehet Mongolisë, shkruan euronews It
Në një intervistë për të përjavshmen franceze “Le Point”, Lukashenko argumentoi se pretendimet territoriale të bazuara në periudha të largëta historike nuk mund të përdoren për të përligjur kufijtë e sotëm dhe sovranitetin e shteteve të pavarura.
Ai iu referua periudhës së sundimit mongol mbi principatat ruse, nga shekulli XIII deri në fund të shekullit XV, duke vënë në dukje se edhe territoret e sotme ruse kanë qenë dikur nën ndikimin dhe kontrollin mongolo-tatar.
“Dhe sot të thuash se këto toka janë ruse dhe kanë qenë të tilla që nga kohët e lashta… Në një moment kanë qenë ruse. Por, nëse shohim më thellë, të njëjtat toka ruse dikur ishin mongolo-tatare. Atëherë, a duhet t’ia dorëzojmë gjithë Rusinë Mongolisë?”, deklaroi Lukashenko.
Kreu i shtetit bjellorus iu referua gjithashtu Rusisë së Kievit, duke e lidhur formimin e shtetësisë së sllavëve lindorë me periudhën e shekujve XI-XII, në territoret që sot përfshijnë Ukrainën.
Sipas tij, zhvillimet e mëvonshme historike nuk mund të shërbejnë si argument për pretendime territoriale ndaj shteteve që sot janë të pavarura.
Megjithatë, gjatë intervistës, Lukashenko u përpoq të sqaronte se presidenti rus Vladimir Putin “e kupton plotësisht” këtë çështje dhe se nuk vë në dyshim ekzistencën e popullit ukrainas apo shtetësinë e Ukrainës, por se qëndrimet e tij shpesh keqinterpretohen.
Ai shtoi se ndan qëndrimin e Moskës për “nevojën e një të ardhmeje të përbashkët për popujt e rajonit”./mxh
