Universi kinematografik i “Avatar” pritet të zgjerohet me një film të katërt. Kompania Disney e ka përfshirë tashmë “Avatar 4” në kalendarin e publikimeve të ardhshme, duke rikthyer vëmendjen te vazhdimësia e sagës së famshme të regjisorit James Cameron.
Sipas medias “The Direct”, filmi i katërt u prezantua në programin e publikimeve të ardhshme të Disney-t gjatë aktivitetit “Upfronts Argentina 27”, i zhvilluar në Buenos Aires. Sipas planifikimit aktual, “Avatar 4” pritet të mbërrijë në kinematë botërore në dhjetor të vitit 2029.
E ardhmja e kësaj sage kishte ngritur pikëpyetje, pasi filmi i tretë, “Avatar: Fire and Ash”, nuk arriti të përsëriste suksesin financiar të paraardhësit të tij, “Avatar: The Way of Water”, i cili kishte arkëtuar 2.32 miliardë dollarë në mbarë botën.
Megjithatë, “Fire and Ash” arriti të grumbullojë rreth 1.4 miliardë dollarë, duke u renditur në vendin e 18-të në listën e filmave me fitimet më të larta të të gjitha kohërave.
Më herët, James Cameron kishte theksuar se nevojiteshin të ardhura edhe më të larta që Disney të miratonte prodhimin e një kapitulli të katërt. Skenari i filmit të ardhshëm është tashmë gati, por kostot shumë të larta të realizimit kanë qenë një faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen e studios.
Deklaratat e mëparshme të regjisorit kishin lënë të kuptohej se vazhdimi i sagës nuk ishte ende plotësisht i sigurt. Në dhjetor të vitit 2025, në një intervistë për “Entertainment Weekly”, Cameron ishte shprehur: “Nuk e di nëse saga do të vazhdojë përtej kësaj pike. Shpresoj që po”.
Disa muaj më vonë, gjatë një konference për shtyp në kuadër të çmimeve “Saturn”, ai e kishte cilësuar filmin e katërt si “të mundshëm, por jo 100% të sigurt”, duke shtuar se ende nuk ishte marrë një vendim përfundimtar për të vijuar me projektin./mxh
